Ka më shumë se dy orë që Lidhja Demokratike e Kosovës, është mbledhur me ftesë të kryetarit Isa Mustafa. Në takim janë thirrur për të diskutuar për zgjedhjet e brendshme në këtë parti e Kuvendin Zgjedhor që do të mbahet me 3 gusht.
Nënkryetarët e LDK-së, e kryesia e kësaj partie janë mbledhur sot në selinë qendrore të kësaj partie në Prishtinë. Takimi ka dy orë që ka nisur, derisa i njëjti ende nuk ka përfunduar.
Në një prononconim për Gazetën Express, kreu i degës së LDK-së, në Pejë, Gazmend Muhaxheri ka thënë se takimi është thirrur nga kryetari Mustafa.
“Takimi është ftuar prej kryetarit. Ka të bëjë me 3 gushtin, edhe zgjedhjet e brendshme. Ne konsultim me kryetarët e degëve e ka ftuar takimin”, ka thënë Muhaxheri.
Në këtë takim pritet të definohet agjenda e së shtunës, por edhe numri i kandidatëve për garë të kryetarit të LDK-së. Madje mund të ketë marrëveshje që të mos ketë fare garë, por të shkohet me një kandidat.