Konjufca thotë se emisari i Gjermanisë e “ledhatoi Serbinë”: Rruga është barazia si dy shtete

para 24 dite

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të hënën se bashkësia ndërkombëtare po tregohet e njëanshme kur bëhet fjalë për raportet e saj me Kosovën dhe me Serbinë, dhe se duhet të jetë më e përcaktuar se çfarë dëshiron prej dy vendeve.

Konjufca thotë se emisari i Gjermanisë e “ledhatoi Serbinë”: Rruga është barazia si dy shtete Foto: Ilustrim

Ai ka thënë se nuk pret diçka as nga rundi i ardhshëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, që është paralajmëruar të mbahet, edhe as në drejtim të kërkesave që i janë bërë Kosovës për heqje të masave ndaj qarkullimit të mallrave serbe.

“Dialogu, në formatin qysh ka qenë prej vitit 2011, e ka pasur arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë, sepse informatat të cilat i posedon edhe bashkësia ndërkombëtare edhe institucionet tona të sigurisë, tregojnë qartë se ky grup i madh kriminal e ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë prej shtetit serb”, ka thënë Konjufca në një konferencë për media.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe kjo është e qartë që bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, për këtë arsye besoj që duhet një drejtim krejt i ri”, ka thënë Konjufca, duke iu referuar dialogut në Bruksel, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Konjufca i ka komentuar edhe raportimet se i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin, ka kërkuar që të hiqen masat e sigurisë së Kosovës ndaj mallrave serbe.

“Nuk më duket që Procesi i Berlinit mund të reduktohet në CEFTA”, ka thënë Konjuca, duke bërë thirrje që të bëhen dallime mes çështjeve ekonomike dhe çështjeve të sigurisë.

“Ato që tha Sarrazin në vizitën e tij në Kosovë është faktikisht një lloj modusi i ledhatimit të Serbisë. Nëse do të keni rajon funksional, ne e dimë cila është rruga. Rruga është barazia e Kosovës me Serbinë, si shtete të pavarura, që marrin pjesë në këto marrëveshje rajonale”.

Ai ka thënë se nuk pret heqje të masave të Kosovës në mallrat serbe, sidomos jo deri pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të caktuara për shkurt të vitit të ardhshëm.