Konjufca për Draftin e Asociacionit: Faleminderit shumë BE-së, por nuk implementohet

28.12.2023

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për Draft Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konjufca ka falënderuar BE-në për ‘këshillat miqësore’, por ka thënë se Kosova nuk do ta implementojë këtë draft. “Ky draft-statut i BE-së, unë […]

Konjufca për Draftin e Asociacionit: Faleminderit shumë BE-së, por nuk implementohet Foto: Ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për Draft Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konjufca ka falënderuar BE-në për ‘këshillat miqësore’, por ka thënë se Kosova nuk do ta implementojë këtë draft.

Ky draft-statut i BE-së, unë i them faleminderit shumë që na keni këshillu në këtë mënyrë kaq miqësore. Jo more, nuk implementohet ai draft. Nëse këto janë këshillat tua, faleminderit shumë, por aty ka edhe shumë gjëra problematike. Pse janë ato gjëra? Sepse nuk e ka shkruar Kosova. Kaq thjesht”, ka thënë Konjufca.

Konjufca është shprehur se në Draftin e hartuar nga BE-ja, nuk përmendet Asociacioni, por një formë e vetëmenaxhimit të interesave të komunitetit serb.

E sipas tij, kjo do të ndodh me një mekanizim për të cilin thotë se ndoshta nuk do të quhet fare Asociacion.

Aty as nuk përmendet Asociacionit, por përmendet një formë e vetëmenaxhimit të këtyre interesave të këtij komuniteti i cili do të ndodhë me një mekanizëm i cili ndoshta nuk quhet fare Asociacion. S’e di pse e kemi këtë urgjencë me iu qasë vendit tonë kështu. Vendit tonë duhet t’i qasemi kështu: Kosova e ka kompetencë me prezantu nëse e ki nga kuptimi i borxhit që e kemi, nga ky kuptim kemi mbetur aty. BE-ja ka thënë, po ata pajtohen, kjo është e Kosovës, dhe është e brendshme ajo, dhe ajo nuk del as në negociata me Serbinë. Dhe tash kur do të bëhet ajo, nëse bëhet. Mendoj se nuk bëhet hiç, sepse pozicioni i qeverisë sonë dhe i shtetit tonë është ky: ajo mund të bëhet vetëm me njohje dhe në një marrëveshje e cila është e nënshkruar nga Vuçiqi në emër të Serbisë e cila e njeh defakto shtetësinë e Kosovës. Unë mendoj se Vuçiqi nuk e bën kurrë. Dhe ne arrijmë te konkludimi që nëse nuk e bën ai, nuk do të bëhet as kjo pjesa jonë”, ka thënë kryetari Konjufca në Rubikon.

Kujtojmë se më 21 tetor, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është prezantuar një draft-statut për Asociacionin, që BE-ja e ka përshkruar si model modern evropian.

Ky dokument u soll në Prishtinë dhe Beograd gjatë takimeve të “Pesëshes së Madhe” apo përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe BE-së.

Dokumenti nuk është bërë ende publik dhe gjatë interpelancës së 3 nëntorit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti tha se ndërmjetësit kanë kërkuar që të mos bëhet publik draft-statuti.