Kjo konferencë vjen pas konfirmimit të një aktakuze të re nga Gjykata Speciale në Hagë më 6 dhjetor, kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëpunëtorëve të tij, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.
Një element kyç i kësaj seance do të jetë ftesa e gjykatëses Masselot për Thaçin dhe Smakajn që të vetëdeklarohen në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e tyre. Kjo mundësi u ofrohet të akuzuarve nëse ata dëshirojnë ta shfrytëzojnë.
Nëse të akuzuarit vendosin të mos vetëdeklarohen gjatë seancës së 17 dhjetorit, gjykatësja Masselot ka shprehur synimin për të kërkuar që vetëdeklarimi i tyre të përfshihet në dosjen e çështjes deri më 7 janar 2025. Nëse kjo nuk ndodh deri në këtë datë, gjykatësja e procedurës paraprake, në përputhje me rregullën 95 të Rregullores, do të deklarojë në emër të tyre se janë të pafajshëm.
Aktakuza e re kundër Thaçit dhe të tjerëve ngre akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, përmes pjesëmarrjes në veprime të koordinuara. Sipas akuzës, Thaçi, gjatë vizitave në paraburgim nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor 2024, u ka dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Më tej, aktakuza pretendon se Thaçi koordinoi tre grupe të veçanta me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, si dhe me Kuçin dhe persona të tjerë pa akuza, me qëllim ndikimin në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte “Thaçi dhe të tjerët”. Përveç Thaçit, edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë.
Kjo konferencë dhe zhvillimet e fundit në rastin “Thaçi dhe të tjerët” pritet të ndjeken me vëmendje nga publiku dhe media, duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes dhe implikimet e saj.