Komuna e Kosovës që nuk ka asnjë të infektuar, dje i dolën 24 teste negative

Rahoveci është në mesin e komunave të pakta që nuk ka asnjë rast me koronavirus.

Në Kosovë deri më tani janë 604 persona të prekur me koronavirus mirëpo ka edhe disa komuna të cilat deri më tani nuk kanë regjistruar asnjë rast të vetëm me COVID-19.

Në mesin e komunave që nuk janë të prekur me koronavirus është edhe ajo e Rahovecit.

Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit, ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së djeshme janë bërë 24 testime dhe që fatmirësisht kanë rezultuar negativë.

“24 testime janë bërë dje për 24 qytetarë të cilët kanë pasur kontakt me një të infektuar nga Banja e Malishevës e që ka shitur fidanë në Krushë të Madhe. Të gjithë kanë rezultuar negativë”, ka treguar Latifi.

Tutje ai ka bërë se pavarësisht se nuk ka asnjë të prekur në Rahovec, Latifi ka thënë se, komuna që ai e drejton ka marrë të gjitha masat me kohë dhe është e përgatitur mirë që të përballet me pandeminë e COVID-19.

“Së pari unë nuk besoj që do të kemi raste të infektuar me virusin COVID-19. E dyta edhe në qoftë se eventualisht do të kemi, ne jemi të organizuar mirë, jemi të mobilizuar, jemi aktiv, jemi funksional edhe si komunë edhe si QKMF edhe si Shtab komunal Emergjent, edhe nënshtabet nëpër fshatra në pjesën urbane i kemi. Edhe jemi të mobilizuar mirë kemi edhe vendin për karantinë. Besoj që eventualisht në qoftë se paraqitet nevojë, por që s’po besoj mirëpo në rast se paraqitet ne jemi të gatshëm me u përballë suksesshëm me izolimin çfarëdo rasti që mund të paraqitet”, tregoi Latifi për lajmi.net.

Ai po ashtu i ka falënderuar të gjithë banorët e Rahovecit për kulturën e vetëdijësimit që kanë treguar gjatë këtyre ditëve dhe ka kërkuar edhe një herë nga ta që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin pa nevojë.

“Le të rrinë në shtëpi, të mos dalin pa nevojë, të mos lëvizin në grupe, le t’i kryejnë shërbimet të cilat janë të domosdoshme për t’i kryer qytetarët e Komunës së Rahovecit. Ndërkaq ju e dini që fermerët edhe bujqit janë të liruar që të kenë qasje në tokat e tyre, le të punojnë të mbjellat t’i kryejnë punët pranverore. Të tjerët e sidomos ata që kanë sëmundje kronike besoj që e kanë të qartë që duhet të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Në rast se mund t’ju komplikohet situata në qoftë se eventualisht infektohen me virusin korona. Unë i falënderoj qytetarët e Rahivecit të cilët në masë të madhe po i respektojnë rregullat, udhëzimet, rekomandimet edhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, edhe të Shtabit të posaçëm Emergjent komunal. Bëhet fjalë për një vetëdije të lartë të ngritur të qytetarëve sepse me kohë e kanë kuptuar rrezikun nga kërcënimi real i infektimit me virusin korona”, u shpreh Latifi.

Theksojmë  se deri më tani në Kosovë janë 604 persona të prekur me koronavirus, 128 kanë arritur të shërohen dhe fatkeqësisht 18 persona kanë ndërruar jetë të cilët ishin të infektuar me koronavirus.

RAPORTO