Kompania “FRUTEX” rriti eksportin e produkteve në BE pas hyrjes në fuqi të MSA-së

16.03.2019

Për tre vjet të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), prodhuesit nga Kosova, ndonëse jo në nivel të kënaqësh, kanë rritur eksportin e produkteve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian. MSA-ja është edhe marrëveshja e vetme kontraktuale që Kosova ka lidhur deri më tani me Bashkimit Evropian. Kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila […]

Kompania “FRUTEX” rriti eksportin e produkteve në BE pas hyrjes në fuqi të MSA-së Foto: Ilustrim

Për tre vjet të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), prodhuesit nga Kosova, ndonëse jo në nivel të kënaqësh, kanë rritur eksportin e produkteve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian.

MSA-ja është edhe marrëveshja e vetme kontraktuale që Kosova ka lidhur deri më tani me Bashkimit Evropian.

Kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike është njëra nga bizneset që pas hyrjes në fuqi të MSA-së ka rritur eksportin e produkteve në vendet e BE-së.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se MSA-ja ka lehtësuar eksportin e produkteve të tyre për në vendet e BE-së.

“Efektet e kësaj marrëveshjeje kanë qenë shumëdimensionale, fillimisht me uljen e taksës doganore. Ne dy vjetët e para ne kemi paguar taksë më të ulët për lëndën e parë si rezultat i kësaj marrëveshjeje, derisa para një viti ne nuk paguajmë fare taksë për lëndë të parë. Efekti më i madh i kësaj është se ne kemi arritur të depërtojmë në disa vende të BE-së, si në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Belgjikë dhe shumë vende të tjera. Ne gjatë këtyre tre vjetëve kemi pasur një shtrirje të konsiderueshme me produktet tona në këto shtete”, thekson Palushi.

Më hyrjen në fuqi të MSA-së në prill të vitit 2016, bizneseve nga Kosova iu hapën dyert për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh.

Megjithatë, kjo mundësi nuk u arrit të shfrytëzohet nga të gjitha bizneset prodhuese në vend, për shkak të kapaciteteve të ulëta të prodhimit, por edhe cilësisë së dobët të produkteve të cilat nuk i përmbushin standardet e BE-së.

Të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës dhe hulumtimet e bëra nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tregojnë se është rritur niveli i eksportit të produkteve ‘Made in Kosova’ për në vendet e BE-së, por jo në nivelin e dëshiruara, krahasuar me importin.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga hyrja në fuqi e MSA-së, shkëmbimet tregtare Kosovë – BE janë rritur për 40 për qind krahasuar me periudhën para hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje.

“Ndikimi kryesor ka qenë që kjo marrëveshje i ka hapur tregjet e Kosovës drejt Evropës si dhe e ka rritur eksportin, por jo në masë të madhe, për shkak se përveç liberalizimit të tregut në aspektin e taksave, prodhuesit kosovarë duhet të përmbushin edhe standarde të ndryshme për eksporte të produkteve të tyre. Por, në aspektin e importit të mallrave, efekti ka qenë më i madh. Shkëmbimet tregtare janë rritur për 100 milionë euro në vit si rezultat i MSA-së, e që është pozitive pasi që edhe konsumatori kosovar tani ka qasje te produktet më kualitative të prodhuara në vendet e BE-së”, thotë Stavileci.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfitimet në aspektin ekonomik çfarë sjell MSA-ja nuk janë shfrytëzuar sa duhet nga prodhuesit.

“Përbrenda kësaj periudhe sa është në fuqi MSA-ja, për prodhuesit vendorë janë hapur perspektiva të reja te eksportit të produkteve të Kosovës në tregjet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, natyrisht jo në nivelin në të cilin ne do të dëshironim, por megjithatë një derë është hapur, mundësitë ekzistojnë dhe tash është çështje e kapaciteteve të brendshme prodhuese se sa mund të shfrytëzojnë këtë marrëveshje në mënyrë të plotë të mundshme. Nga hulumtimet që OEAK i ka bërë, shihet se ka potencial më të madh që fatkeqësisht nuk shfrytëzohet, pavarësisht faktit që ne konsiderojmë që prodhuesit vendorë kanë arritur në një fazë tjetër të zhvillimit dhe ofrojnë cilësi më të madhe”, thotë Zeka.

Zeka shton se disa sfida që duhet të adresohet nga institucionet e vendit në muajt në vijim është adresimi i çështjeve që lidhen më pronësinë intelektuale. Sipas tij, institucionet duhet të tregojnë seriozitet më të madh të pronësisë intelektuale dhe në avancimin e fuqisë punëtore dhe ndërlidhjen e kërkesës me ofertën në tregun e punës.

MSA, përveç tjerash, në aspektin ekonomik parasheh që nga viti në vit, tatimi doganor për produktet që vijnë nga Bashkimi Evropian të zbritet, derisa pas 10 vjetësh të hyrjes në fuqi, të gjithë produktet të mos kenë fare taksë doganore.

Adriatik Stavileci tregon se përgjatë këtyre tre vjetëve e të hyrjes së fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të hyrat në Dogana kanë shënuar rënie.

“Doganat e Kosovës kanë pasur rënie të arkëtimit të të hyrave pas hyrjes në fuqi të MSA-së. Në vitin 2017 kemi pasur 31 milionë euro më pak të hyra, derisa në vitin 2018 kemi pasur mosarkëtim të të hyrave ne vlerë prej 45 milionë euro”, thotë Stavileci.

Komisioni Evropian në vazhdimësi kishte bërë thirrje që Kosova të forcojë bazën e saj të prodhimit, në mënyrë që të ketë përfitime të plota nga MSA-ja.