KOMF: Mbi 70% e fëmijëve në Kosovë kanë qenë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike

31.05.2021

Gjendjen e fëmijëve në Kosovë e ka rënduar edhe më shumë pandemia COVID-19, sidomos atyre me aftësi të kufizuara që u përballen me mbyllje të shërbimeve shëndetësore. Në gjendje jo të mirë po i gjen edhe ky 1 Qershor fëmijët në Kosovë. Mbi 70 përqind e fëmijëve kanë qenë viktima të dhunës fizike e psikologjike, […]

KOMF: Mbi 70% e fëmijëve në Kosovë kanë qenë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike Foto: Ilustrim

Gjendjen e fëmijëve në Kosovë e ka rënduar edhe më shumë pandemia COVID-19, sidomos atyre me aftësi të kufizuara që u përballen me mbyllje të shërbimeve shëndetësore.

Në gjendje jo të mirë po i gjen edhe ky 1 Qershor fëmijët në Kosovë. Mbi 70 përqind e fëmijëve kanë qenë viktima të dhunës fizike e psikologjike, ndërsa mbi 20 përqind e tyre jetojnë në varfëri të skajshme. Në gjendje më të rënduar janë fëmijët me aftësi të kufizuara, ku vetëm 10 përqind e tyre përfitojnë shërbime shëndetësore e sociale.

Në vigjilje të 1 Qershorit, ditës së fëmijëve, drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, Donjeta Kelmendi, thotë se gjendja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos jetë e mirë.

Ajo tregon edhe të gjeturat e raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-it për gjendjen në të cilën gjendën fëmijët në Kosovë.

“Gjendja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos jetë e mirë, i kemi të dhënat shumë shqetësuese sa i përket gjendjes së fëmijëve në Kosovë, vazhdojmë të kemi një përqindje të lartë mbi 20 përqind të fëmijëve të cilët jetojnë në varfëri në Kosovë. Pastaj, kemi një përqindje të lartë të përdorimit të dhunës bazuar në të dhënat e reja të raportit MICS i cili është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bashkë edhe me UNICEF-in, del se rreth 72 përqind e fëmijëve në Kosovë kanë qenë viktimë, qoftë e ndëshkimit fizik apo e dhunës psikologjike, 5 përqind të fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, ne shohim gjendjen e rëndë të fëmijëve të cilët punojnë edhe punë të rënda në Kosovë. Pastaj gjendje shumë të rëndë janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara në bazë të raportit MICS rreth 8 përqind e fëmijëve në Kosovë kanë raportuar që kanë vështirësi funksionale në një domen të caktuar. Pastaj, vetëm 10 përqind të fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë shërbime shëndetësore dhe shërbime sociale”, thotë ajo.

Kelmendi thotë se gjendjen e fëmijëve në Kosovë e ka rënduar edhe shumë përballja me pandeminë COVID-19. Sipas saj, më të prekurit nga masat e ndërmarra për mbrojtje nga përhapja e pandemisë kanë qenë fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Pandemia në fakt ka ndikuar shumë në gjendjen e fëmijëve në Kosovë dhe sidomos në gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, siç dimë gjatë vitit 2020 për shkak edhe të masave për parandalimin e virusit COVID-19 shumica e shërbimeve të cilat ofrohen për fëmijët e cenueshëm kanë qenë të mbyllura në pjesën e parë të vitit. Kjo ka qenë shumë traumatike për fëmijët e sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara, ata të cilët kanë marrë shërbime ose pjesa e fëmijëve të cilët kanë marrë shërbime përmes qendrave ditore të cilat udhëhiqen nga organizatat joqeveritare, në një moment të caktuar me marrjen e vendimeve për parandalim të përhapjes së virusit të gjitha këto shërbime u mbyllën. Ajo ishte shumë traumatike për fëmijët sepse nga një rutinë ku fëmijët merrnin shërbime ishin të izoluar në familje, pa ato shërbime dhe pa mbështetjen e nevojshme”, thekson ajo.

Përveç kësaj, ajo thotë se pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve kur fëmijët kanë qenë viktima të dhunës në familje.

Kelmendi shprehet se gjatë vitit 2020 strehimoret që ofrojnë strehim për viktimat e dhunës kanë qenë të stërmbushura me fëmijë.

“Gjatë kohës së pandemisë strehimoret kanë qenë duke punuar me kapacitet të plotë 24 orë dhe kanë qenë të stërmbushura, kanë pranuar më shumë fëmijë sesa që kanë pasur vende për shkak të numrit të madh. Përdorimi i dhunës vazhdon të përdoret në familjet në Kosovë edhe si mjet disiplinimi, do të thotë kryesisht edhe ndëshkimi fizik. Statistikën të cilën e përmenda që 72 përqind të fëmijëve kanë deklaruar që kanë pasur ndëshkim fizik dhe psikologjik flet shumë, mbi 50 përqind të fëmijëve në Kosovë i bie që janë viktima të dhunës ose edukohen përmes formave të dhunshme”, thotë ajo.

Drejtoresha e KOMF thotë se gjatë vitit 2020 organizatat joqeveritare po edhe institucionet publike që ofrojnë shërbime sociale për fëmijët janë përballur me vështirësi të shumta financiare, madje thotë se të njëjtat vitin 2020 e kanë pasur si vitin më të rëndë që nga paslufta.

Kelmendi komenton edhe programin e qeverisë për pikat që prekin drejtpërdrejtë fëmijët. Ajo deklaron se vlerësojnë disa prej çështjeve të prezantuara aty siç janë shtesat për fëmijë, reformimi i politikave të varfërisë dhe krijimi i grantit specifik për shërbimet sociale dhe familjare në kuadër të Ligjit për financat e pushtetit lokal.

“Vetëm 1 përqind e buxhetit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2020 është ndarë për shërbime sociale, pra një përqindje jashtëzakonisht e ulët që është ndarë për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve po edhe qytetarëve të cilët kanë nevojë për shërbime sociale. Presim që përmes krijimit të grantit specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit për financat e pushtetit lokal të ketë rritje të përqindjes së buxhetit për shërbimet sociale. Kërkesa jonë si koalicion ka qenë që buxheti i cili ka qenë rreth 10 milionë për shërbime sociale me hyrjen në fuqi të Ligjit për financat e pushtetit lokal në vitin e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji sipas kalkulimeve që si koalicion i kemi bërë bashkë edhe me profesionistë dhe ekspertë të tjerë edhe të institucioneve publike buxheti për shërbime sociale të rritet me 5 milionë, nga 10 milionë të kalojë në 15 milionë. Kjo sigurisht që do të ndikonte shumë në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve të cenueshëm”, thotë ajo.

Sa i përket përfshirjes së fëmijëve në arsim, ajo potencon se gjendja më e rënduar është tek fëmijët e komuniteteve, që sipas saj ende vazhdojnë të kenë një përqindje të ulët të përfshirjes në arsim.

Drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, Donjeta Kelmendi, tregon kërkesën që e kanë për institucionet e Kosovës për këtë 1 Qershor.

“Thirrja jonë në këtë 1 Qershor është që duhet të kthehet urgjentisht vëmendja drejtë fëmijëve, duhet që të investohet më shumë në fëmijë përmes ndarjes së buxhetit për zbatimin e politikave, ligjeve të cilat janë miratuar, specifikisht edhe Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, i cili ka nevojë që të fillojë zbatimin, por zbatimi sigurisht që duhet të mbështetet me një kosto financiare të mjaftueshme në mënyrë që të ketë një zbatim në komuna të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve”, thotë Kelmendi.

Sa i përket Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, Kelmendi thekson se sfidë për implementimin e tij mbetet buxheti shumë i vogël./RTKlive/