Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, zhvillon takime strategjike në Pentagon dhe JRTC

para 32 dite

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është pritur në Pentagon dhe në Qendrën e Trajnimit të Përbashkët (JRTC).

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, zhvillon takime strategjike në Pentagon dhe JRTC

Në Pentagon, Jashari është takuar me Gjenerallejtënant Joseph ‘JS’ McGee, Drejtor i Strategjisë, Planeve dhe Politikave në Shtabin e Përbashkët të Forcave Amerikane. Gjatë këtij takimi, Komandanti i FSK-së informoi përfaqësuesin e lartë amerikan për arrijtjet e FSK-së, duke përfshirë pjesëmarrjen në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 25”, bashkëpunimin në trajnime me ushtrinë amerikane dhe përgatitjet për dislokimin në JRTC.

Gjenerallejtënant McGee vlerësoi lartë progresin e FSK-së, falënderoi për mikpritjen gjatë stërvitjes ndërkombëtare dhe konfirmoi mbështetjen e Pentagonit për zhvillimin dhe angazhimin e përbashkët në misione paqeruajtëse.

Gjatë vizitës, Jashari u takua edhe me Gjeneral Steven S. Nordhaus, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, si dhe me Gjeneral Major Steven Osborn, Komandant i Gardës Kombëtare të Ajovës në JRTC. Në këto takime u diskutua rreth trajnimeve dhe përgatitjeve për misione ndërkombëtare, ku profesionalizmi dhe gatishmëria e pjesëtarëve të FSK-së u vlerësuan lartë nga zyrtarët amerikanë.

Vizita e komandantit Jashari në SHBA konfirmon partneritetin strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe përparimin e vazhdueshëm të FSK-së drejt Kapaciteteve të Plota Operacionale, në funksion të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Etiketat

Ofertat e fundit