Janë bërë gati një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakoshhme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku ende nuk dihet fati i koalicionit Nisma – AKR – PD, edhe pse zyrtarët e lartë të këtij koalicioni po deklarohen se kanë kaluar pragun zgjedhor, por ende nuk dihet për këtë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetoritm madje ende nuk ka asnjë afat të caktuar se kur do të bëhet ky certifikim i rezultateve.

Tashmë ka përfunduar numërimi si dhe rinumërimi i të gjitha votave, duke përjashtuar votat e diasporës të cilat kanë ardhur pas afatit ligjor (me vonesë), ndërsa njohësi i çështjeve politike, Armend Muja ka bërë një analizë të rezultatit zgjedhor pas përfundimit të këtyre proceseve.

Duke u bazuar në këtë analizë të Armend Mujës thuhet se numërimi i votave të diasporës, të cilat kanë arritur me vonesë, do të mundë t’ia jepte disa shanse të vogla koalicionit Nisma – AKR – PD që ta kalojë pragun zgjedhor, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Rezultatet zyrtare mund të bëhen publike javën që vjen. Por mund të vonohen varësisht nga vendimi përfundimtar në lidhje me votat e mërgatës”, ka thënë ai.

“Nisma ka ca shanse të vogla teorike te votat e vonuara të mërgatës dhe te ankesat. Megjithatë, këto vota përfshijnë vota që kryesisht favorizojnë LVV-në dhe LDK-në”, ka thënë ai për “Zërin”.

Megjithatë nëse ndalemi dhe të analizojmë rezultatin e deritanishëm duke përjashtuar votat e ardhura me vonesë të diasporës, Muja tha se koalicioni Nisma – AKR – PD për 12 vota ka mbetur jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Aktualisht Nisma mbetet jashtë Kuvendit për 12 vota (4,998%). Duhet nënvizuar se ky rezultat nuk përfshin votat e vonuara të mërgatës (6500-10.000). Mirëpo në kuadër të këtij rezultati janë përfshirë edhe rinumërimet e të gjitha kutive të votimit”, ka deklaruar ai.