🖋 Koalicioni me VV-në, këto ministri pritet t’i udhëheqë LDK-ja

Ndonëse edhe javën e kaluar vazhduan takimet e një pas njëshme mes liderit të LVV-së dhe LDK-së, por nuk u arrit koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se problemi i vetëm mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosjes vazhdon të mbetet posti i presidentit, ku mandati 4 vjeçar i këtij posti përfundon në vitin e ardhshëm.

Sipas Muhaxherit gjatë bisedimeve mes LDK e VV është zgjedhur edhe problemi i ministrive të përfolura, duke pohuar se Ministrinë e Punëve të Brendshme do ta drejtojë partia në krye me Isa Mustafën, LDK-ja.

Po ashtu ai tha se nuk është e nevojshme që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të tregojë emrin e Presidentit, derisa edhe për pozitat e tjera të arrihet marrëveshje vetëm në parim.

“As emrat e ministrave e as emrin e kryetarit të Kuvendit, Vetëvendosja nuk i di, por ne jemi marrë vesh vetëm në parime”, tha ai në Dukagjini.

Ai ka treguar se cilat ministri do t’i marrë LDK-ja pas koalicionit qeverisës që do ta formojë me VV-në.

“Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, e Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Arsimit dhe Bujqësisë”, ka thënë Muhaxheri.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.