Koalicioni me AAK’në, a ka pretendime Shpend Ahmeti për postin e kryeministrit?

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicion në mes të PSD’së së Shpend Ahmetit dhe AAK’së së Ramush Haradinajt.

Këto dy parti kanë vendosur të hyjnë bashkë në zgjedhje. Bartës të listës kanë vendosur ta kenë Haradinajn, pasi Ahmeti i ka edhe dy vjet mandat në udhëhejen e kryeqytetit, shkruan Gazeta Express

Në konferencën e përbashkët të kreut të PSD’së dhe atij të AAK’së ata u pytën edhe për postin e kryeministrit.

Ahmeti tha se partia e tij nuk ka pasur pretendime për ta marrë postin e të parit të qeverisë, pasi atij i kanë mbetur edhe dy vjet mandat udhëheqje në Prishtinë.

“Unë jam kryetar kryeqyteti dhe i kam edhe dy vjet mandat, prandaj nuk ka pasur pretendime nga PSD’ja që të marrim në këtë listë të përbashkët zgjedhore postin e Kryeministrit”, tha Ahmeti.

Në konferencën e sotme Ahmeti ka thënë se ky koalicion po formohet për t’i fituar zgjedhjet dhe se të dy partitë pothuajse në mënyrë unanime janë pajtuar për të lidhur koalicionin.

Ne po i bashkojmë forcat me AAK-në që t’i fitojmë zgjedhjet me një program të përbashkët qeverisës. Kemi vendosë disa kërkesa për mospajtimet ose qëndrimet e ndryshme. Në të dyja këshillat drejtues të partive tona s’ka pasë pothuajse fare zëra kundër“, tha Ahmeti.

Ahmeti, po ashtu, theksoi se këto dy parti janë dakorduar që bartës i listës në zgjedhje të jetë i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Jemi dakorduar që ne të garojmë me një listë dhe bartës i kësaj liste do të jetë kandidati i Aleancës, z. Haradinaj. PSD me AAK do të kontaktojnë me subjektet tjera që i ka përmend edhe AAK-ja edhe PSD-ja, në mënyrë që ta zgjerojmë koalicionin fitues. Nevojitet një koalicion serioz, ne sot e kemi ndërtu boshtin e këtij koalicioni fitues. Me 29 shtator ose 6 tetor, ne jemi të gatshëm për të sfiduar”, tha Ahmeti.

Ndërkaq në zgjedhjet e vitit 2017, Ahmeti ishte kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, por ai pati vendosur të japë dorëheqje nga posti i deputetit që të vazhdojë të jetë në krye të Prishtinës.

RAPORTO