Dje me fillim prej orës 15:00 filloi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku kjo seancë u përfundua me sukses duke u krijuar formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, Dhënia e betimit të deputetëve si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës para konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më 26 dhjetor dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, kanë pikëpamje të ndryshme nëse ekzistojnë ende mundësi dhe variante që një marrëveshje e tillë të arrihet.

Pasi i konstituua Kuvendi, duke u bazuar në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, parasheh formën e zgjedhjes së qeverisë, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pritet që në konsultim me partinë e cila ka fituar shumicën e nevojshme në kuvend, ku në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër.

Nga ai moment, do të nisë rrjedhja e afatit prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re të vendit.

Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, thotë se brenda afatit prej 15 ditësh që nga mandatimi i kandidatit për kryeministër nga ana e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta paraqesë një qeveri, e cila duhet të marrë mbështetjen e shumicës së thjeshtë në kuvend apo të 61 deputetëve.

“Kjo është në rast se ka marrëveshje me LDK-në. Sipas, supozimeve të mëhershme, atëherë kryetari i kuvendit që u zgjodh të enjten, ai vetëm mund të japë dorëheqje dhe mund të zgjidhet një kryetar tjetër i kuvendit. Kurse, në rast se nuk ka marrëveshje, LDK-ja po premton që do ta votojë qeverinë Kurti dhe atëherë mund të kemi një qeveri minoritare, në këtë rast – siç ka ndodhur edhe në të kaluarën në Kosovë, gjatë kohës Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re – pra, një qeveri që është e votuar, mirëpo që nuk ka numra të mjaftueshëm në kuvend. Gjithsesi, këso lloj qeverish mund të funksionojnë, por nuk kanë ndonjë peshë ose mundësi për të avancuar agjendën e tyre legjislative”, thotë Muja.

Ai shton që, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të bëjnë një marrëveshje dhe e para të lëshojë pe për çështjen e presidentitdhe të mbajë postin e kryetarit të Kuvendit, si dhe të vazhdohet me marrëveshjen e deritashme, me nga 5 ministri për secilën parti.Por, megjithatë, sipas tij, në cilëndo situatë, Vjosa Osmani, e cila është më e votuara brenda LDK-së, siç thotë ai, “do të dalë nga loja”./REL/