Sot me fillim prej orës 15:00 do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të bëhet formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Por, partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur që të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka publikuar ftesën pesë pikëshe për Lëvizjen VETËVENDOSJE.
Njoftimi i plotë i Abdixhikut:
Ftesë 5 pikëshe për LVV-në:
1. Siq është dakorduar tashmë, përgjegjësitë ministrore ndahen proporcionalisht në mes të dy partnerëve qeverisës;
2. Kryeministri dhe një zëvendëskryeministër i Qeverisë i takojnë LVV-së;
3. Kryeparlamentari dhe një zëvendëskryeministër i takon LDK-së. Nënkryetarët e Kuvendit ndahen sipas rregullimit Kushtetues;
4. Ditën që zgjidhet Presidenti i propozuar nga LDK, një ministri e udhëhequr nga LDK i kalon LVV-së, për të bërë proporcionin qeverisës 6 me 4 në favor të kësaj të fundit;
5. Nëse LVV, nuk është gati për propozimin e LDK-së, dhe e sheh LDK-në si pengesë, LDK është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi, dhe të gjitha pozitat tua lë LVV-së. Pra LDK, do të votojë pa asnjë kusht, me 28 deputetët e saj, Qeverinë e LVV-së pa LDK-në në të. U japim edhe Kryeministrin, edhe Kryeparlamentarin edhe të 10 ministritë.