KFOR jep detaje për ushtrimet me helikopterë që realizuan sot në disa qytete të Kosovës

KFOR jep detaje për ushtrimet me helikopterë që realizuan sot në disa qytete të Kosovës

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, gjatë të enjtes ka zhvilluar një trajnim duke fluturuar me gjashtë helikopterë nëpër disa qytete të Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, KFOR ka njoftuar se ushtrimi u përqendrua në standardizimin e procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të misionit, në testimin e fluturimit dhe komunikimet.

Ushtrimi filloi nga Aeroporti Ushtarak në Sllatinë, duke vazhduar me kampin “Bondsteel”, Prizren, Pejë, Aeroportin e Sllatinës dhe Prishtinë, dhe përfundoi në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Kosova Film”.

“Ushtrimi siguroi që KFOR të mbetet një forcë e fuqishme ushtarake, e gatshme për të vepruar si parandalues i besueshëm ndaj çdo kërcënimi dhe për të ruajtur kapacitetet e tij për të kryer fluturime të evakuimit urgjent mjekësor kurdo që nevojitet”, thuhet në komunikatë.

Misioni i KFOR it, i udhëhequr nga NATO-ja, është kontingjent shumëkombësh me 27 vende anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere.

“Ky dimension ndërkombëtar ofron kapacitete dhe kompetenca të ngritura. Kërkohet trajnim dhe ushtrim i vazhdueshëm për t’u siguruar se të gjitha kontingjentet veprojnë në mënyrë të standardizuar, duke siguruar aftësinë e KFOR-it të reagojë në përputhje me rezolutën 1244 të OKB dhe në mënyrë të shpejtë dhe efikase nga ajri dhe nga toka ndaj çdo sfide për mjedisin e qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet tutje në komunikatën e KFOR-it.

RAPORTO