KFOR: Jemi të përkushtuar për ta mbajtur Kosovën të sigurt

01.08.2022

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, NATO ka theksuar se KFOR është i gatshëm të marrë masa të nevojshme që ta mbajë Kosovën të sigurt. “KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i […]

KFOR: Jemi të përkushtuar për ta mbajtur Kosovën të sigurt Foto: Ilustrim

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, NATO ka theksuar se KFOR është i gatshëm të marrë masa të nevojshme që ta mbajë Kosovën të sigurt.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të miratojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”.

Po ashtu, reagim ka pasur edhe dje nga KFOR-i, duke thënë se janë të gatshëm që të ndërhyjnë në veri të Kosovës nëse rrezikohet stabilitet.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, thuhej në reagimin e djeshëm të KFOR-it.

Ndryshe, në veri të Kosovës u krijuan tensione nga ana e serbëve, të cilët vendosën kamionë dhe mjete tjera të rënda në rrugët që çojnë në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime serbët i ndërmorën pasi Qeveria vendosi që nga 1 gushti të nisë zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.