KFOR-i përforcohet me 200 ushtarë italianë, për të garantuar sigurinë në Kosovë
Në një lëvizje që synon të forcojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, KFOR-i ka vendosur sot 200 ushtarë shtesë nga Italia.
Këta ushtarë, të cilët janë pjesë e brigadës së mekanizuar e këmbësorisë italiane “Sassari”, do të bashkohen me trupat e tjera të KFOR-it për të kryer një sërë aktivitetesh dhe për t’u përgjigjur çdo sfide të mundshme në fushën e sigurisë.
Sipas një komunikate për media të KFOR-it, vendosja e këtyre trupave është e përkohshme, por thekson rëndësinë e pranisë së tyre, veçanërisht në periudhën e zgjedhjeve. “Në muajt në vijim, këta ushtarë do të jenë të gatshëm të intervenojnë në çdo situatë që mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në vend,” thuhet në komunikatë.
KFOR-i ka theksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, duke kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Në këtë kontekst, bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in është thelbësor për të garantuar një reagim të shpejtë dhe të koordinuar ndaj çdo kërcënimi.