Këto janë kriteret që të përfitoni 130 € rrogë për 3 muaj nëse keni humbur vendin e punës

Ministri në detyrë i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot ka aprovuar Planin Operacional për Pakon Fiskale Emergjente.
Sipas një njoftimi për media, theksohet se mori vendim për aprovimin e Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, por sipas këtij vendimi, obligohen të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të propozojnë vendimet shtesë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e Planit Operacional për Implementimin e Pakos Fiskale Emergjente.
Masa 8 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në katër milion (4,000,000.00 €) euro.
- Për të përfituar nga kjo masë duhet të plotësohen kriteret si në vijim:
1.1. Ish i punësuari të jetë larguar nga puna si rezultat i rënies së aktivitetit të ndërmarrjes për shkak të situatës së pandemisë (dëshmohet me dokumentacion); arsyet tjera te largimit nuk mbulohen nga kjo mase;
1.2. Ish Punëdhënësi, përmes sistemit elektronik EDI, duhet të plotësojë dhe ngarkojë formularin dhe listën e dizajnuar nga ATK, më së largu deri më 15 Maj 2020;
1.3. Ish i punësuari duhet të jetë pjesë e listës së pagave të dorëzuar nga punëdhënësi në periudhën Shkurt 2020;
1.4. Ish i punësuari, duhet të posedojë llogari bankare valide në një nga bankat e licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës; - Kërkesat e dërguara nga punëdhënësit do të shqyrtohen nga Komisioni i themeluar nga ATK në bashkëpunim me MEPTINIS (Agjencia e Punësimit), në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditë pune nga data e parashtrimit të kërkesës;
- Kjo pagë për qëllime të tatimit do të konsiderohet si pagë primare;
- Thesari duhet të sigurohet që ish i punësuari mund të përfitojë vetëm një herë brenda një periudhe mujore në këtë skemë;
- Përfituesit nuk mund të jenë njëkohësisht edhe përfitues të skemave tjera sipas vendimit të marrë në mbledhjen e 19-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës më 30 Mars 2020;
- Kjo masë të buxhetohet dhe realizohet përmes divizionit përgjegjës për skemat/ndihmat sociale (divizioni i mirëqenies sociale)
- Lista e të ish-punësuarve (tash pjesë e asistencës sociale) që evidentohen në bazë të pikës 1, i dërgohet Thesarit (MFT) nga ana e ATK-së dhe Divizionit për ndihma sociale për procedim të mjeteve.