Këtë vit shkollor hyjnë në përdorim tekstet alternative, shpërndarja e librave ende nuk ka përfunduar

04.09.2021

Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së teksteve mësimore, Ministria e Arsimit këtë vit shkollor për herë të parë u ka ofruar mundësinë mësimdhënësve që të zgjedhin edhe tekste alternative. Mësimdhënësit kanë zgjedhur mes teksteve bazë dhe atyre alternative të ofruara nga shtëpi të ndryshme botuese, e që më pas ministria nga e enjtja ka […]

Këtë vit shkollor hyjnë në përdorim tekstet alternative, shpërndarja e librave ende nuk ka përfunduar Foto: Ilustrim

Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së teksteve mësimore, Ministria e Arsimit këtë vit shkollor për herë të parë u ka ofruar mundësinë mësimdhënësve që të zgjedhin edhe tekste alternative.

Mësimdhënësit kanë zgjedhur mes teksteve bazë dhe atyre alternative të ofruara nga shtëpi të ndryshme botuese, e që më pas ministria nga e enjtja ka nisur shpërndarjen e teksteve nëpër shkolla.

Pavarësisht që tekstet alternative lejohen në bazë të Ligjit për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lekturës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik, ka dyshime rreth menaxhimit të përzgjedhjes së teksteve alternative dhe mundësisë që shtëpitë botuese të ndikojnë që të përzgjidhen tekstet e tyre.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka bërë të ditur se shpërndarja e librave ka filluar dhe se i gjithë procesi do të përfundojë me kohë.

Ai nuk ka dhënë detaje rreth përzgjedhjes që mësimdhënësit e shkollat kanë bërë, por vetëm ka konfirmuar se në bazë të porosive të tyre ka nisur edhe shpërndarja e teksteve.

“Shpërndarja e teksteve shkollore ka filluar dhe do të përfundojë me kohë. Edhe këtë vit tekstet shkollore për klasat 1 deri në 9 do të ofrohen falas, ndërsa për herë të parë për të gjitha klasat kemi edhe tekste alternative.

Mësimdhënësit tani kanë bërë përzgjedhjen e këtyre teksteve alternative dhe ne i kemi evidencat sipas të cilave edhe është duke u bërë shpërndarja e tyre”, tha ai, raporton KosovaPress.

Sa i përket dyshimeve që i gjithë procesi i përzgjedhjes së teksteve alternative mund të ndikohet nga lobimet e shtëpive botuese, nga Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim thuhet se është përgjegjësi e këshillave profesionale në shkolla që vendimet t’i marrin në mënyrë profesionale me qëllim të ngritjes së rezultateve të mësimdhënies e mësim nxënies.

Po ashtu, në përgjigje thuhet se është përgjegjësi e shkollave dhe komunave që të sigurohen që komisionet dhe këshillat të vendosin në mënyrë parimore e profesionale pa presione e ndërhyrje./KP/