Këtë javë ekzekutohen paratë për mësimdhënësit e viteve të 90-ta

09.12.2019

Nga kjo javë pritet që të marrin kompensimin ligjor mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Republikën e Kosovës. Të paktën kështu ka thënë për IndeksOnline Bahri Xhaferi, Drejtor i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Xhaferi […]

Këtë javë ekzekutohen paratë për mësimdhënësit e viteve të 90-ta Foto: Ilustrim

Nga kjo javë pritet që të marrin kompensimin ligjor mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Republikën e Kosovës.

Të paktën kështu ka thënë për IndeksOnline Bahri Xhaferi, Drejtor i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Xhaferi ka thënë se e kanë kryer punën e tyre si dhe listat të cilat i kanë përcjellë në Ministrinë e Financave.

“Lista me rreth 9 500 emra është dërguar në Ministrinë e Financave të premten me një përmirësim të vogël. Shpresoj që këtë javë do të bëhet ekzekutimi i mjeteve nga ministria përkatëse”, ka thënë Xhaferi.

Po ashtu për këtë çështje ka folur edhe Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, i cili ka thënë se nëse listat tani janë gati atëherë mjetet do të ekzekutohen sepse për këtë është ndarë edhe buxheti për vitin 2019.

Ndryshe vlera e konvertuar në valutën euro për kontributin e tyre në mësimdhënie gjatë viteve të 90-ta nis nga 19 deri në 95 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar.

Shuma mësimdhënësve iu ndahet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999, i cili është miratuar në shkurt në Kuvendin e Kosovës dhe ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti./IndeksOnline/