Kërkohet sigurimi i vaksinave anti-COVID dhe rishikimi i Ligjit për Pandeminë

Kërkohet sigurimi i vaksinave anti-COVID dhe rishikimi i Ligjit për Pandeminë
Eurolinda Zenelaj

13.04.2021 / Lajme

Gjatë ditës së marte është mbajtur mbledhja konstituive e Komisionit për Shëndetësi, në të cilën është diskutuar për pandeminë COVID-19.

Në këtë mbledhje u tha se prioritet duhet të jetë menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi i vaksinës anti-COVID.

Madje anëtarët e Komisionit për shëndetësi janë pajtuar që duhet të rishikohet Ligji për luftimin e pandemisë COVID-19.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje tha se si kryetare do të punojë në mënyrë konstruktive dhe do angazhohet për një frymë të bashkëpunimit në të mirë të përgjithshme.

Anëtari i këtij komisioni nga PDK, Bekim Haxhiu kërkoi që të bëhen bashkë të gjithë për të ndihmuar në sigurimin e vaksinës pavarësisht se nga cila parti janë.

“Kërkoj angazhimin e komisionit që të bëhemi bashkë në sigurimin e vaksinës. Qytetarët presin sigurimin e vaksinës duke pasur sytë nga Qeveria”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, infektologu, Shemsedin Dreshaj në adresimin e tij, tha që shpreson që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë, duke shtuar se 20 mijë vaksina janë sa një pikë uji në det.

“Uroj të dalim faqebardhë në menaxhimin e pandemisë. Secili prej nesh brengën kryesore e ka vaksinimin në masë. 20 mijë vaksina janë një pikë ujë në det. Të mos shkojmë më ritëm të ngadalshëm të vaksinimit. Shqipëria vaksinon 20 mijë raste në ditë”, shtoi ai.

Ish-minsitri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë që situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë është shqetësuese dhe se qeveria është duke heshtur për këtë situatë.

RAPORTO