Kërkohet shkarkimi i dy anëtarëve të LVV-së nga KQZ-ja
Albert Krasniqi nga organizata Democracy Plus ka kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pas reagimeve të fundit nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës lidhur me mos certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Krasniqi ka theksuar se veprimet e dy anëtarëve të LVV-së në KQZ kanë dëmtuar procesin zgjedhor dhe integritetin e institucionit. Ai ka argumentuar se ata kanë shfaqur “sjellje dhe mosnjohje elementare të ligjeve”, duke synuar dëmtimin e procesit zgjedhor.
“Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se ligji parasheh mundësinë e ndërprerjes së mandatit të një anëtari të KQZ-së kur veprimet apo sjelljet e tij “dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit”. Vendimi për shkarkim merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së.
Sipas Krasniqit, sjellja e Kurteshit dhe Krasniqit tregon ose mosnjohje elementare të ligjeve, ose një synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor, ndërsa rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Ai ka bërë thirrje që anëtarët e tjerë të KQZ-së të tregojnë guxim dhe të qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm.