Kërkohet rritja e pagës minimale, SPSPK: Të mos jetë nën 400 euro
Tashmë shkalla e papunësisë në vendin tonë është rritur në një përqindje të madhe, e kjo si pasojë edhe e pandemisë. Njohës të çështjeve kanë theksuar se rritja e papunësisë dhe skemave sociale ka ndodhur edhe për shkak të pandemisë, me ç’rast humbën vendin e punës rreth 10 përqind e punëtorëve në sektorin privat. Ndërsa […]
Tashmë shkalla e papunësisë në vendin tonë është rritur në një përqindje të madhe, e kjo si pasojë edhe e pandemisë.
Njohës të çështjeve kanë theksuar se rritja e papunësisë dhe skemave sociale ka ndodhur edhe për shkak të pandemisë, me ç’rast humbën vendin e punës rreth 10 përqind e punëtorëve në sektorin privat.
Ndërsa rritjen e pagës minimale në sektorin privat, e ka kërkuar që disa muaj rresht Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.
Rritja e pagës minimale ishte edhe premtim i Qeverisë Kurti gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Premtimet e ekzekutivit për ngritje të pagës minimale në 250 euro nuk i afrohen kërkesave të sindikatave që tashmë kërkojnë që të mos jetë nën 400 euro pas rrethanave të reja të krijuara.
Opozita mendon se ngritja e pagës minimale është e domosdoshme për shkak të ngritjes së çmimeve, krizës energjetike e pandemisë.
Përkundër se vitin e kaluar kërkuan që paga minimale të jetë 350 euro, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, tha për KosovaPress se tashmë nuk duhet të ketë propozime nën 400 euro për pagë minimale pas rritjes së çmimeve dhe largimit të punëtorëve jashtë vendit.
Azemi: Nuk duhet të ketë propozime nën 400 euro për pagë minimale
“Faktikisht ne kemi propozuar që të jetë 350 euro, megjithëse këto çmime që janë dhe kjo situatë çfarë është, edhe kjo ikje e punëtorëve që është duke dalë jashtë, mendojmë se nën pagën 400 euro gjithçka çka mendon dikush se po kryen punë me këtë pagë është e kotë.
Kërkesa nuk është miratuar, ne herë pas here ia tërheqim vërejtjen që nuk kanë lëviz në pagën minimale, përndryshe po e them nëse kryeministri ose kushdo qoftë tjetër mendon që paga minimale do të jetë e arsyeshme me një pagë 250 ose 300 euro, po them kjo është një pagë e tejkaluar dhe ne nuk duam as të merremi me të”, ka thënë Azemi për KosovaPress.