Kërkohet rikthimi i kontrolleve mjekësore në pikat kufitare

25.10.2020

Komisioni për Shëndetësi pritet t’i drejtohet me kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar se kur do të kthehen ekipet mjekësore në pikat kufitare si dhe në Aeroportin e Prishtinës. Madje, deputetët opozitarë të këtij komisioni thonë se ministria nuk i ka njoftuar fare rreth vendimit për të larguar ekipet mjekësore. Kryetarja e këtij komisioni […]

Kërkohet rikthimi i kontrolleve mjekësore në pikat kufitare Foto: Ilustrim

Komisioni për Shëndetësi pritet t’i drejtohet me kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar se kur do të kthehen ekipet mjekësore në pikat kufitare si dhe në Aeroportin e Prishtinës. Madje, deputetët opozitarë të këtij komisioni thonë se ministria nuk i ka njoftuar fare rreth vendimit për të larguar ekipet mjekësore.

Kryetarja e këtij komisioni që vjen nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj deklaroi se si komision janë duke e monitoruar punën e Ministrinë së Shëndetësisë dhe se do të kërkojnë nga kjo ministri informacione se kur planifikojnë t’i kthejnë ekipet mjekësore në pikat kufitare.

Reshitaj theksoi se sikur në vendet e tjera edhe në Kosovë numri i të infektuarve me COVID-19 është në rritje, prandaj nëse vazhdon kjo rritje, institucionet e vendit do të detyrohen që t’i kthejnë ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare.

“Ne si Komision për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës do t’i kërkojmë sqarime Ministrisë së Shëndetësisë, akterëve përgjegjës për arsyetimin se kur planifikojnë në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, por edhe në bazë të rekomandimeve, këshilltarëve, ekspertëve shëndetësorë që jepen nga këshilli i ekspertëve nëse e kanë paraparë në këtë periudhë të kthehen ekipet të cilat do të bëjnë kontrollimin e të gjithë atyre që futen apo edhe dalin nga Kosova”, ka thënë Reshitaj.