Kërkohet që masat anti-COVID të vazhdojnë deri sa të vaksinohen 70% e qytetarëve

09.10.2021

Si pasojë e përhapjes së këtij virusi në vendin tonë, Qeveritë e atëhershme ishin detyruar që të marrin disa masa kufizuese për parandalimin e COVID-19. Këto masa kishin ndryshuar kohë pas kohe, duke filluar nga mbyllja e shkollave, mbyllja e gastronomisë, sallat e dasmave, ora policore, mbyllja e kufijve, aeroportit e kështu me radhë. Masat […]

Kërkohet që masat anti-COVID të vazhdojnë deri sa të vaksinohen 70% e qytetarëve Foto: Ilustrim

Si pasojë e përhapjes së këtij virusi në vendin tonë, Qeveritë e atëhershme ishin detyruar që të marrin disa masa kufizuese për parandalimin e COVID-19.

Këto masa kishin ndryshuar kohë pas kohe, duke filluar nga mbyllja e shkollave, mbyllja e gastronomisë, sallat e dasmave, ora policore, mbyllja e kufijve, aeroportit e kështu me radhë.

Masat e vendosura nga Qeveria për parandalimin e këtij virusi, kanë prekur jashtëzakonisht shumë bizneset, e sidomos lokalet e gastronomisë si dhe sallat e dasmave.

Por, ndonëse kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, masat kanë ndikuar në uljen e rasteve të infektimeve si dhe atyre të vdekjeve nga COVID-19.

Masat e fundit kundë këtij virusi u vendosën në fundin e muajit gusht, kur edhe pati rritje të rasteve të infektimeve dhe të vdekjes, kështu duke vazhduar masat e njëjta deri më 27 shtator, ndërsa pas kësaj date u miratuan masat e reja nga ana e Qeverisë, masa këto pothuajse lehtësuese pasiqë kishin paraparë fillimin e vitit të ri shkollor, shfrytëzimin e hapësirave të brendshme të lokalave të gastronomisë për klientat që ofrojnë dëshminë e vaksinimit apo teste negative kundër COVID-19.

Këto masa po kërkohet që të vazhdojnë edhe më tutje deri sa të vaksinohen rreth 70 për qind e qytetarëve të vendit.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se megjithëse ka rënie të numrit të rasteve me COVID-19 si dhe situata epidemiologjike është e qetë, qytetarët duhet të vazhdojnë mbajtjen e maskave, distancën si dhe të vaksinohen kundër këtij virusi.

Infektologu Ramadani për Telegrafin ka thënë se procesi i vaksinimit është me rëndësi që po shkon mirë dhe se qytetarët po shprehin interesim për të marrë vaksinën anti-COVID.

Megjithatë, ndonëse ka interesim të madh për t’u vaksinar dhe rënie të rasteve pozitive, sipas tij nuk bën që të relaksohemi derisa të arrihet vaksinimi i 70 për qind (%) të popullsisë.

Po ashtu, ai ka thënë se kjo gjendje e qetë është falë masave kundër COVID-19, maskave, distancës, masa të rëndësishme dhe duhet të vazhdojnë ende sepse e kanë efektin e vet.

Ndërsa, infektologu Hamdi Ramadani është shprehur se kur të arrihet shifra prej 70% e popullatës të vaksinuar, atëhet mund të jemi në një situatë shumë më të mirë, më të qëndrueshme dhe mendoj me një pandemi të kufizuar, por duhet patjetër të kalojë shifra prej 70% të qytetarëve të planifikuar për tu vaksinuar.

Ai thotë se tash për tash gjendja është e qëndrueshme, por masat antiCOVID duhet të vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Kur e kemi një numër kaq të madh të qytetarëve imun, ata të vaksinuar dhe një pjesë e atyre që e kanë kaluar coronavirusin, pastaj duke vazhduar vaksinimi prapë, bazuar në këto të dhëna statistikore, mendoj që situata në vend është e qëndrueshme relativisht, për faktin që qytetarët po vaksinohen, një numër të madh që janë imunizuar”, theksoi Ramadani për Telegrafin.

Sipas tij, nëse arrihet imunizimi i popullsisë ashtu siç është planifikuar, muajt e parë të vitit të ardhshëm do të na gjej me një gjendje më të mirë sa i përket pandemisë.

“Mund të themi se janari, shkurti, marsi do të na gjej në një gjendje më të mirë, më relaksuese e me pak infektime, e me zero vdekje”, thotë ai.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në vendin tonë janë konfirmuar 25 raste pozitive me COVID-19 si dhe është regjistuar një rast i vdekjes.

Ndërsa brenda 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë dhënë 12.005 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.419.979 doza të vaksinës. Deri më sot 598.551 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.