💥 Kërkohet nga kryetarët e komunave ndalimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike

Në çdo fundvit në Kosovë dhjetëra qytetarë përfundojnë në Qendra Emergjente shkaku i lëndimeve të marra nga përdorimi i mjeteve piroteknike.

Kjo për arsye se nuk ekziston një vetëdije e plotë e qytetarëve për përdorimin e atyre mjeteve si rezultat i mungesës së mbrojtjes së konsumatorëve dhe përcaktimit të qartë të mënyrës së përdorimit të atyre mjeteve. Viktima të lëndimeve nga këto mjete deri me tani kanë qenë kryesisht gjeneratat e reja, respektivisht moshat nga 7 deri me 18 vjet.

Problematikë në këtë drejtim është vërejtur të jetë edhe keqpërdorimi me mjete piroteknike nga persona të moshave të reja, kryesisht meshkuj, të cilët eksperimentojnë duke kombinuar mjetet piroteknike për krijimin e një efekti të tingullit/zhurmës më të madhe e që në raste të pakujdesisë mund të ketë pasoja të mëdha sa i përket incidenteve/lëndimeve. Përpos lëndimeve fizike, një pjesë e caktuar e qytetarëve përballen edhe me pasoja psiko-sociale.

Ndërsa sot ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi u ka kërkuar të gjithëve komunave të Republikës së Kosovës ndalimin e ndezjes së fishekzjarreve si dhe mjeteve piroteknike gjatë festave të fudvitit.

Duke qenë se Kosova jo shumë kohë më parë është përballur me një ambient lufte si rezultati i një konflikti të armatosur, përdorimi i mjeteve piroteknike mund të prodhoj efekte të kthimit të kujtesës së pavullnetshme (ri-përjetimi i një eksperiencë të kaluar) që ndikon në aspektin emocional tek qytetarët e traumatizuar dhe që ndikon negativisht tek perceptimet e tyre në lidhje me ambientin në të cilin ata jetojnë.

Po ashtu, shikuar nga aspekti i sigurisë ambientale përdorimi i mjeteve piroteknike ndikon edhe në shkatërrimin e botës bimore, ndotë ajrin si dhe kontaminon ujin gjë që mund të sjellë pastaj edhe pasoja shëndetësore tek njerëzit.

Ndërsa Minstria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se një kërkesë e tillë ka ardhur për shkak të ndotjes së ajrit dhe pasojave që mjetet piroteknike shkaktojnë në shëndetin e njeriu dhe në mjedis.

“Më qëllim të  mbrojtjes së ajrit nga ndotja dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, ka kërkuar ndalimin e ndezjes së  fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike gjatë festave të fund vitit, në hapësira publike dhe zona të banuara”, thuhet në komunikatë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.