Kryetarët e komunave të Kosovës po kërkojnë që të largohet ora policore dhe masat tjera kufizuese që janë në fuqi. Këtë kërkesë do të ia paraqesin të mërkurën ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, shkruan Gazeta Express
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën do t’i diskutojë masat e reja anti-Covid, me kryetarët e komunave të vendit, aty do të diskutohet edhe plani i vaksinimit dhe gjendja e përgjithshme pandemike në Kosovë.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se janë duke u koordinuar kërkesat e komunave, përmes kryetarëve të tyre.
“Jemi duke i koordinuar kërkesat e komunave përmes kryetarëve të komunave. Jemi në kontakt me kryetarë dhe kryetarët janë shumë të angazhuar sa i përket zhvillimit ekonomik lokal”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar se kërkesë e komunave është largimi i masave kufizuese që janë në fuqi.
“Pra, përveç vaksinimit të popullatës, largimit të kufizimit të lirisë së lëvizjes, komunat janë të interesuara që të largohen masat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokale. Pra, edhe një herë, kryetarët kërkojnë që të ketë kujdes sa i përket shëndetit publik mirëpo gjithnjë duke shtuar kujdesin për zhvillim ekonomik lokal duke marrë për bazë se shumica e shteteve, jo vetëm në rajon, janë duke i liberalizuar masat”, ka deklaruar Ibrahimi për GazetënExpress.
Takimi virtual i Vitisë me krerët e komunave të vendit do të mbahet në orën 10:00.
Ndryshe, tash e disa ditë ka rënie të dukshme të rasteve me COVID-19, ku në Komunën e Suharekës që tre ditë me radhë nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me këtë virus.