Formimi i Qeverisë “Kërcënon” presidenti Thaçi: Do të ndërmarrë veprime nëse nuk propozohet mandatari

Foto: Ilustrim

Më 6 janar 2020, kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve të parakohshme, në këtë rast Albin Kurti kishte shkuar në takim te Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për konsultime për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se një javë nga ky takim, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë propozimin e saj për mandatarin.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka “kërcënuar” me veprime kushtetuese në rast se nuk gjendet ndonjë zgjidhje për formimin e institucioneve.

Presidenti Thaçi ka kërkuar që sa më shpejtë të bëhet propozimi për mandatarin.

Ai para mediave ka deklaruar se shpreson në vullnetin e mirë të spektrit politik që të gjendet një zgjidhje, gjithmonë në përputhshmëri me votën e qytetarëve.

Po ashtu Thaçi ka shtuar se nëse nuk do të ndodhë një gjë e tillë do të ndërmarrin të gjitha hapat kushtetues dhe ligjor.

“Unë shpresoj në vullnetin e mirë të spektrit politik që të gjejnë zgjedhje politike në përputhshmëri me votën e qytetarëve me 6 tetor, shpresoj që kjo zgjedhje të jetë sa më e shpejt. Në anën tjetër do të ndërmarrë të gjitha hapat kushtetues dhe ligjor”, shtoi ai, raporton Televizioni T7.