Masat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e mbajtjes së dasmave dhe eventeve të tjera familjare, si masë preventive për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit, kanë ndikuar në të gjithë “industrinë” e dasmave, duke përfshirë këngëtarët, sallonet e bukurisë e restorantet ku organizohen këto evente.
Për të kundërshtuar këtë vendim të qeverisë, estrada ka paralajmëruar protestë këtë të hënë në ora 11:00.
I pari që inicio organizimin e kësaj proteste ishte këngëtari Labinot Tahiri.
Ai përmes një postimi në Facebook kritikoi qeverinë për “diskriminin” që ua ka bërë, duke ua “mohuar” bukën e gojës, shkruan Sinjali.
“Të dashur qytetarë dhe kolegë, secili prej nesh ka të drejtë me reagu kur dikush ua mohon bukën e gojës femijëve tanë, pa marrë parasysh se kush je ti, apo jam unë! Të dashur kolegë, ju më nuk punoni qe 4 muaj, derisa Viva, Elkosa, ndërtimtari e biznese te tjera se kanë ndalë asnjë moment punën…Derisa në tubime e mbledhje, në parlament e qeveri mblidhen, edhe ashtu si gjen asgjë ata se kanë mbrojtje në të 4 anët, as VIRUSI SI KAP, atëherë as ne nuk përbëjmë rrezik! “, thuhet në apelin e Tahirit.
Thirrjes së Tahirit i janë përgjigjur edhe kolegët e tij këngëtarë. Vetëm pak kohë pas thirrjes publike të Labit, pjesëmarrjen në protestën e së hënës e konfirmuan Edona Llalloshi, Milot Llalloshi dhe Afrim Muçiqi.