KEK rikthen në operim Njësinë B2, sigurohet stabiliteti i sistemit elektroenergjetik
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se Njësia B2 ka përfunduar me sukses punimet e sanimit dhe ekzaminimit të pajisjeve kryesore, në përputhje të plotë me planin dhe dinamikën e parashikuar.
Pas përfundimit të këtyre ndërhyrjeve teknike, Njësia B2 është startuar me sukses dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 20:26, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe stabilitetin e sistemit në vend.
Ky sukses dëshmon përkushtimin e KEK sh.a. për operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe profesionalizmin e ekipeve teknike dhe menaxhuese në realizimin në kohë të ndërhyrjeve preventive dhe riparimeve të domosdoshme.
KEK sh.a. ka falënderuar stafin teknik dhe të gjithë punonjësit për angazhimin dhe punën e palodhur, të cilët mundësuan rifillimin e operimit të Njësisë B2 pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.
Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e angazhuar që të sigurojë vazhdimësinë e prodhimit, si dhe stabilitetin dhe besueshmërinë e plotë të sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.
