KEDS tregon se çka po e shkakton konsumin e lartë të energjisë elektrike

23.11.2021

Ngrohja është shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike dhe përdorimi i saj, po rritë kërkesën për energji elektrike në shifra astronomike. Sipas analizave të profesionistëve të kompanisë, gjendja është alarmante pasi që piku i konsumit po arrihet në ora 18:00, çdo ditë dhe nuk po bie deri në mesnatë. Vetëm në tetor ka pasur rritje […]

KEDS tregon se çka po e shkakton konsumin e lartë të energjisë elektrike Foto: Ilustrim

Ngrohja është shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike dhe përdorimi i saj, po rritë kërkesën për energji elektrike në shifra astronomike.

Sipas analizave të profesionistëve të kompanisë, gjendja është alarmante pasi që piku i konsumit po arrihet në ora 18:00, çdo ditë dhe nuk po bie deri në mesnatë.

Vetëm në tetor ka pasur rritje për 18%, në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, ndërsa në fillim të nëntorit, konsumi ka shënuar rritje rekorde për 21%.

Kjo rritje masive e konsumit, me rënien e temperaturave, po sjellë nevojë për më shumë blerje të energjisë elektrike nga jashtë, ku dihet që çmimet e energjisë elektrike janë pesëfish më të larta se vitin e kaluar.

Pra, sa më shumë që importohet me këto çmime të larta nga jashtë, aq me shumë rrezikohemi nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo rritje e madhe e konsumit gjatë stinës së dimrit po ndodh për shkak të një sërë faktorësh.

Një ndër ta është edhe mungesa e alternativave dhe burimeve tjera për ngrohje në vendin tonë.

Për momentin vetëm në dy qytete të Kosovës, në Prishtinë (Ngrohtorja e Qytetit – NQ Termokos) dhe Gjakovë (NQ Gjakovë SH.A), ekzistojnë sisteme të energjisë termike, pra që nuk përdorin energjinë elektrike për ngrohje.

Meqë këto sisteme nuk furnizojnë të gjithë qytetin, shumë konsumatorë ngrohen duke kombinuar lëndët djegëse me energji elektrike, përderisa konsumi më i madh vie nga ata konsumatorë të cilët ngrohen vetëm me energji elektrike.

Një faktor tjetër i cili ka ndikuar në rritjen e konsumit të energjisë elektrike si dhe të kërkesës së madhe është edhe ndërtimi i hovshëm i objekteve shumë-katëshe, të cilat janë të gjitha duke shfrytëzuar energjinë elektrike për ngrohje. Qoftë kjo nxemje qëndrore me rrymë, apo nxemëse elektrike mobile, të gjitha këto po ndikojnë në stërngarkimin e rrjetit elektrik si dhe rritjen marramendëse të konsumit gjatë stinës së dimrit.

KESCO muajt e fundit nëpërmjet fushatave vetëdijesuese ka bërë apel te konsumatorët që ta kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që munden.

Nëse të gjithë kursejmë, kjo do të ndikojë në zvogëlim të konsumit dhe do të lehtësojë ngarkesat e sistemit elektro-energjetik.

Të gjithë konsumatorët e kanë në dorë armën e vetme dhe kjo armë është kursimi maksimal i energjisë elektrike.