KEDS: Nëse konsumi vazhdon të jetë i lartë gjatë muajve të dimrit, rritja e çmimit është e pashmangshme

10.11.2021

Me nisjen e sezonit të ngrohjes në muajin tetor, një krizë energjetike e ka kapluar Evropën, kjo si pasojë e shtrenjtimit të madh të energjisë elektrike. Kriza energjetike që ka kapluar Evropën, ka bërë që faturat për energji të jenë më të larta edhe për shkak të rritjes globale të konsumit të energjisë elektrike si […]

KEDS: Nëse konsumi vazhdon të jetë i lartë gjatë muajve të dimrit, rritja e çmimit është e pashmangshme

Me nisjen e sezonit të ngrohjes në muajin tetor, një krizë energjetike e ka kapluar Evropën, kjo si pasojë e shtrenjtimit të madh të energjisë elektrike.

Kriza energjetike që ka kapluar Evropën, ka bërë që faturat për energji të jenë më të larta edhe për shkak të rritjes globale të konsumit të energjisë elektrike si dhe gazit.

Në Kosovë, deri në fund të muaji tetor i gjithë prodhimi i energjisë elektrike është mbuluar brenda vendit dhe se nuk ka pasur nevojë për import të energjisë elektrike.

Kështu, deri tani fatmirësisht çmimi i rrymës në Kosovë nuk është prekur nga çmimi i rrymës në Evropë.

Megjithatë, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) më 5 nëntor ka paralajmëruar se ka një rritje prej 21 për qind të konsumit të energjisë elektrike, duke bërë që të ketë nevojë të madhe për import të rrymës.

“Konsumi i energjisë elektrike në ditët e para të nëntorit është rritur në nivele të larta, mbi 21 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja e madhe e konsumit në kohë të krizës energjetike po e vë në vështirësi serioze tërë sistemin elektroenergjetik të vendit.

Madje, në kohë të pikut po mbërrin deri në 935 megavat nga 788 megavat sa ishte në ishte vitin e kaluar. Kjo nënkupton që duhet të importohen gati 200 megavat/orë energji elektrike në kohën e konsumit maksimal. E çmimet e importit aktualisht janë në qiell, duke u blerë nga më tepër se 250 euro për megavat/orë, pra rreth pesë fish më shumë se vitin e kaluar”, thuhej në njoftimin e KEDS-it.

Po ashtu, sipas tyre rritje kishte edhe gjatë muajit tetor për 18 për qind në krahasim me tetorin e vitit 2020.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse konsumi vazhdon të jetë i lartë gjatë muajve të dimrit, rritja e çmimit është e pashmangshme.

LEXO EDHE:  KEDS njofton për punime, të martën rruga Skënderbeu mbetet 6 orë pa furnizim me energji elektrike

“Sigurisht që (rritja e konsumit) do të përkthehet në rritje të çmimeve. Po flasim me çmime të pesëfishuara (të importit) në krahasim me vitin e kaluar”, thotë ai.

Edhe pse rritja e çmimit të energjisë elektrike po konsiderohet e pashmangshme, qytetarët në Kosovë nuk pritet që të vërejnë shtrenjtim të faturave deri së paku në pranverën e vitit 2022.

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) thotë për Radion Evropa e Lirë se “periudha e ardhshme tarifore fillon në prill të vitit të ardhshëm dhe për çmimet e asaj periudhe mbetet të vlerësohen gjatë shqyrtimit të ardhshëm tarifor”.

Ndryshe, KEDS ka thënë se tashmë është shtuar tempo dhe se rritja e madhe po ndodhë për shkak të ngrohjes së konsumatorëve me rrymë. KEDS apelon të përdoren forma alternative aty ku ka mundësi.

Kjo situatë është e vështirë. KEDS kërkon nga të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike në mënyrë që situata të jetë sa më e përballueshme.

“Edhe kur temperaturat këtyre ditëve po shkojnë deri në 20 gradë celsius, prodhimi vendor i cili shkon në maksimum 750 megavat, nuk po arrin ta mbulojë kërkesën për konsum. Me ftohjen e motit, situata pritet të përkeqësohet tutje, ku nevoja për import pritet të shkojë në gati 50 për qind të kërkesës. Shprehur në euro, me çmimet aktuale të energjisë elektrike në botë, kap një kosto marramendëse, të papërballueshme për sistemin elektroenergjetik të Kosovës.

Nevoja për ndryshime është emergjente. Çdo kilovat është i nevojshëm që të kursehet. Krejt bashkë mund t’ia dalim!”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Etiketat