KEDS: Kemi angazhuar 1000 punëtorë për të siguruar festime me drita për konsumatorët
Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë festave të fundvitit.
Në një kumtesë për media, KEDS ka njoftuar se ka angazhuar rreth 1000 punëtorë të gatshëm për ndërhyrje në çdo rast nevoje, me qëllim që konsumatorët të kalojnë festat me furnizim të pandërprerë me energji. Për të mbështetur këtë angazhim, janë vënë në dispozicion edhe kapacitete të mjaftueshme logjistike, duke përfshirë 135 makineri dhe automjete, ndër të cilat 68 vetura, 31 platforma, 16 makineri të rënda, 16 bagerë dhe 4 automjete për detektimin e kabllove.
Sipas njoftimit, disa rajone si Ferizaj, Gjakova, Rahoveci, Prizreni dhe Gjilani mbeten sfiduese për shkak të mbingarkesave. Megjithatë, KEDS nënvizon se situata në Malishevë është përmirësuar dukshëm falë implementimit të super-përçuesit, i cili ka dyfishuar kapacitetet e rrjetit krahasuar me vitet e kaluara.
Thirrje për kursim energjie
KEDS ka apeluar te konsumatorët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kursejnë energjinë elektrike, sidomos në lidhje me ngrohjen.
“Kujdes të shtuar të kihet me ngrohjen me energji elektrike. Ftojmë konsumatorët që nëse kanë alternativa të tjera për ngrohje, t’i përdorin ato. Çdo përpjekje për kursim kontribuon në lehtësimin e ngarkesës dhe në përmirësimin e situatës për të gjithë,” thuhet në njoftim.
Kompania shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen dhe mirëkuptimin e konsumatorëve gjatë sfidave të vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për një furnizim më të mirë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.
Një fundvit më i ndritshëm
Me përgatitjet intensive dhe masat e ndërmarra, KEDS synon të sigurojë një fundvit të qetë dhe pa ndërprerje për konsumatorët e saj, duke përmbushur përgjegjësitë e saj ndaj komunitetit.