KE vlerëson përparimin në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale

05.11.2025

Pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2025, ka reaguar edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), duke e konsideruar raportin si një vlerësim pozitiv për progresin e vendit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Sipas drejtoreshës së AIP-së, raporti thekson se korniza ligjore kosovare është kryesisht e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë përafrimin me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Raporti evidenton gjithashtu se është themeluar një grup punues për avancimin e harmonizimit me Direktivën e BE-së për Zbatimin e Ligjit, ndërsa Agjencia ka përmirësuar ndjeshëm performancën e saj gjatë vitit të fundit. Një nga arritjet kryesore është lansimi i një platforme digjitale, e cila shërben si mekanizëm mbikëqyrës për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Agjencia ka vazhduar të trajtojë ankesat e qytetarëve në mënyrë të pavarur dhe efikase, çka është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian,” theksohet në njoftimin e AIP-së.

Megjithatë, raporti nënvizon se kapacitetet institucionale të Agjencisë mbeten të kufizuara, duke kërkuar një forcim më të madh të resurseve njerëzore dhe teknike për të siguruar mbikëqyrje më të plotë dhe efektive në këtë fushë.

Ky raport konsiderohet si një hap pozitiv për Kosovën në rrugën drejt harmonizimit me standardet e BE-së dhe për avancimin e mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve.