Të gjitha rastet janë trajtuar nga autoritetet përkatëse, ndërsa ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë veprimet ligjore sipas procedurave.
Istog – Sulm me mjet të mprehtë
Më 14 korrik, rreth orës 23:55, në Istog është arrestuar një person i dyshuar për sulm ndaj një të afërmi me një mjet të mprehtë pas një mosmarrëveshjeje. Viktima, mashkull kosovar, ka pësuar lëndime dhe ka marrë trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Pejë – Përleshje me lëndime trupore
Më 15 korrik, rreth orës 16:00 në Pejë, një burrë dhe një grua janë arrestuar pas një përleshjeje fizike mes tyre. Në incident janë përfshirë edhe dy viktima të tjera (një mashkull dhe një femër), të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë trajtuar mjekësisht. Pas intervistimit, vetëm i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, me urdhër të prokurorit.
Rahovec – Gruaja raporton sulm nga një mashkull
Në Rahovec, më 15 korrik rreth orës 14:00, është raportuar një tjetër rast dhune në familje. Një grua ka deklaruar se është sulmuar nga një mashkull, i cili është identifikuar si i dyshuari kryesor. Viktima ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
Malishevë – Dy të dyshuar për sulm ndaj një gruaje
Rasti i katërt është regjistruar në Malishevë më 15 korrik, rreth orës 17:00. Një grua është sulmuar nga dy meshkuj kosovarë. Viktima është trajtuar mjekësisht, ndërsa të dy të dyshuarit janë arrestuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt, pas intervistimit.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo formë të dhunës në familje dhe ka ritheksuar angazhimin e saj për parandalimin dhe trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë të menjëhershme dhe efikase.