Gjatë një komunikate për media, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, e konfirmoi se gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte premtuar se për disa kategori të luftës, do të ketë rritje të pensioneve.
Gjatë një prononcimi për “Indeksonline”, ai njoftoi se përgjatë takimit që e zhvilloi me shefin e ekzekutivit, e shqyrtuan ekskluzivisht çështjen e rritjes së pensioneve gjithmonë në respektim me ligjin.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari theksoi se:
“Po, do të ketë rritje për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës… Shpresojmë se do të merren parasysh kërkesat tona dhe do të ketë lëvizje. Në bazë të ligjit për vlerat e luftës pensioni i familjeve të dëshmorit dhe invalidit paraqitet 220% mbi pagën minimale. Me automatizëm do të ngritën pensionet”.
Megjithatë, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, vetë kryeministri Haradinaj e konfirmoi se do të ketë ngritje të pensioneve për kategoritë e luftës.
“E kemi nderin që t’i shërbejmë gjithë qytetarëve të vendit. Shprehim respekt për familjet e dëshmorëve, martirëve, të pagjeturve përfshirë edhe kategoritë e dhunës seksuale”, është shprehur ai.