Kadeti i FSK-së përfundon trajnimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake, Sandhurst

12.12.2025

Ambasada Britanike në Kosovë ka ndarë një lajm të rëndësishëm dhe plot krenari për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Përmes një njoftimi në Facebook, Ambasada ka bërë të ditur se kadeti i FSK-së, Gent Dakaj, ka përfunduar me sukses trajnimin e tij në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Britaninë e Madhe – institucion prestigjioz ku trajnohen oficerë nga e gjithë bota.

Dakaj është nderuar me Medaljen Sandhurst, një nga çmimet më të respektuara që i jepet kadetëve të dalluar. Medalja i është dorëzuar nga gjeneralmajori Nick Cowley, komandant i Komandës së Trajnimit Individual të Ushtrisë Britanike.

“Jemi krenarë të festojmë një tjetër arritje për FSK-në”, ka shkruar Ambasada Britanike, duke i uruar kadetit Dakaj suksese të mëtejshme në karrierën e tij brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky sukses konsiderohet edhe një dëshmi e rritjes së kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë dhe trajnimit ushtarak.