Janë bërë gati 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku fituese doli Lëvizja VETËVENDOSJE! duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Negociatat mes LVV-së dhe LDK-së kishin filluar menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për koalicion mes këtyre dy subjekteve politike.
Ndërsa java e ardhshme pritet që të jetë vendimtare lidhur me mundësitë për një marrëveshje për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.
Bisedimet mes liderëve të këtyre dy subjekteve politike, pritet të rezultojnë me një marrëveshje pas një presioni diplomatik ndërkombëtar, në radhë të parë SHBA-së.
Zgjedhja e kryeparlamentarit siç duket i ka vështirësuar këto bisedime, madje kryetari i LDK-së kishte thënë se në të gjitha ato pikat që kemi arritur marrëveshje bien në ujë.
Veprimi i LVV-së për propozimin e kryeparlamentarit, ku në këtë rast ishte Glauk Konjufca, Lidhja Demokratike e Kosovës pas kësaj ngjarje ndjehet e “tradhëtuar”, sepse derisa ishin në bisedime në të gjitha ofertat posti i kryetarit të Kuvendit i takonte LDK-së.
Por, ditëve të fundit të bisedimeve “luftë” po bëhet edhe për postin e Presidentit të Kosovës, post ky i cili ësht i zënë dhe priet që mandati t’i përfundojë në vitin e ardhshëm.
Duket sikur është dashur të ndodhë konstituimi i Kuvendit dhe ajo që ndodhi me zgjedhjen e Konjufcës kryetar, që të aktivizohen edhe misionet e huaja diplomatike në Kosovë, në radhë të parë ambasada e SHBA-së.
Ambasadat e vendeve të fuqishme botërore, SHBA, Britanisë së Madhe e Gjermanisë, në prag të festave të fundvitit, kërkuan nga subjektet politike që të nxitojnë në krijimin e institucioneve të dala nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.
Në këtë drejtim, siç rëndomë ndodhë, më aktive ishte diplomacia amerikane.
Fillimisht, më 30 dhjetor ambasadori Kosnett takoi krerët e LDK-së, Isa Mustafën dhe nënkryetarët e këtij subjekti politik, e më pastaj edhe liderin e LVV-së Albin Kurtin.
Ndërkohë, presioni amerikan për krijimin e qeverisë së re nuk ka përfunduar me këto dy takime.
Një vizitë dhe një takim krejt i papritur dhe i pa paralajmëruar i nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu dhe anëtarëve të kryesisë, Avdullah Hoti e Skender Hyseni ka ndodhur të premten në Berlin me emisarin e Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, shkruan Telegrafi.
Në njoftimin e LDK-së nga ky takim u tha se gjatë bisedës, Ambasadori Grenell inkurajoi delegacionin e LDK-së që të ruajë përkushtimin për rend dhe ligj dhe të marrë vendime të cilat e avancojnë dialogun me Serbinë.