Jasharaj i SBASHK-ut: Të bëhemi bashkë për të mos lejuar Kosovën të kthehet në shtet diktatorial

02.09.2022

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë që të gjjithë duhet bashkuar për t’iu kundërvënë qeverisë së Kosovës e cila sipas tij rrezikon ta kthejë Kosovën në shtet diktatorial. “Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë e të mos lejojmë që Kosova të kthehet në shtet diktatorial. Veprimet dhe tendencat e tilla janë që […]

Jasharaj i SBASHK-ut: Të bëhemi bashkë për të mos lejuar Kosovën të kthehet në shtet diktatorial Foto: Ilustrim

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë që të gjjithë duhet bashkuar për t’iu kundërvënë qeverisë së Kosovës e cila sipas tij rrezikon ta kthejë Kosovën në shtet diktatorial.

“Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë e të mos lejojmë që Kosova të kthehet në shtet diktatorial. Veprimet dhe tendencat e tilla janë që të shtypen dhe heshten sindikatat, e kur sindikatat janë të shtypura e të heshtura, atëherë nuk mund të flitet se një shtet është demokratik”, ka thënë Jasharaj.

“U kemi dërguar letër që të ulemi, sepse vetëm duke biseduar mund të bëjmë zgjidhje. Ne po kërkojmë dialog dhe i lus të gjitha partitë që të na ndihmojnë që të vijmë deri te ky dialog”.

Jasharaj ia ka dhënë këto deklarata pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.

Ndërkaq, Krasniqi kërkoi nga qeveria që t’i kthehet dialogut të mirëfilltë, t’i ftojë sindikalistet që të diskutojnë për një marrëveshje dhe t’i ekzekutojë pagat e zyrtarëve publikë mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që, sipas tij, janë duke u sanksionuar, penalizuar, diferencuar sikur në formën pothuajse të njëjtë sikur diferencimet politike të viteve ‘90.

“Ishte diskutim për kërkesat krejtësisht legjitime që sindikatat me muaj të tërë i kanë adresuar te Qeveria e Kosovës. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë, dialogu social s’duhet të ketë alternativë se përmes tij duhet të mundohemi të gjejmë zgjidhje, por qasja që e ka zgjedhur Qeveria e Kosovës është qasje e papranueshme. Nuk ka vend për qasje autoritariste dhe diktatoriale në Kosovë. Nuk mund të sillet qeveria ndaj mësuesve, arsimtarëve, mësimdhënësve e zyrtarëve publikë me këtë arrogancë të paparë ndonjëherë në historinë e vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.

“Dyert e shkollave më 1 shtator në Kosovë i ka mbyllur Albin Kurti. Nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit, sepse Albin Kurti si kryeministër i ka pasur të gjitha mundësitë që duke dialoguar me sindikalistët të gjejë zgjidhje, të ofrojë mundësi në këtë krizë të jashtëzakonshme ekonomike qe po e kalojnë të gjitha familjet e Kosovës, t’i ndihmojnë mësuesit tanë që t’ua lehtësojë barrën, ndërsa qeveria ka zgjedhur që sindikalistëve t’u thonë “nuk ua paguaj as pagat e muajit gusht. Mosekzekutimi i pagave është vepër penale, është shkelje ligjore”.