Jasharaj i SBAShK-ut sërish paralajmëron greva e protesta në janar

22.11.2021

Madje SBAShK-u ka paralajmëruar protestë dhe grevë në tërë sistemin arsimor. Kësisoj, edhe sot kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar sërish greva dhe protesta në muajin janar. Kështu ka thënë Jasharaj në tryezën e AAK-së për pagat në sektorin publik. Ai ka shtuar se janë në hall dhe se kanë frikë që në vendin […]

Jasharaj i SBAShK-ut sërish paralajmëron greva e protesta në janar Foto: Ilustrim

Madje SBAShK-u ka paralajmëruar protestë dhe grevë në tërë sistemin arsimor.

Kësisoj, edhe sot kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar sërish greva dhe protesta në muajin janar.

Kështu ka thënë Jasharaj në tryezën e AAK-së për pagat në sektorin publik.

Ai ka shtuar se janë në hall dhe se kanë frikë që në vendin tonë arsimi të kthehet në një situatë të pakëndshme.

“SBASHK-u duke u gjendur në situatë të pakëndshme, ka paralajmëruar veprime sindikale. I kemi drejtuar letër subjekteve politike shqiptare që janë brenda Kuvendit.

Jemi në hall të madh, padashjen tonë frikësohem që arsimi dhe shëndetësia do të kthehet në një situatë tepër të pakëndshme. Qeveria Kurti ka muaj që ka ardhur po nuk i ka hapur dyert e dialogut”.

Po ashtu, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka theksuar se muaji janar i vitit 2022 do ta gjejë vendin në protesta dhe greva, nëse Qeveria e Kosovës nuk i takojnë krerët e kësaj sindikate.

Jasharaj ka shtuar se si sindikatë mund ta kuptojnë kryeministrin Kurti se ndoshta ka detyra të tjera, por sipas tyre s’ka mundësi të kuptojnë ministrin Hekuran Muratin, i cili ka harruar se është ministri i Punëve dhe Mirëqenies Sociale.

“SBASHK-u mund ta kuptojë pak kryeministrin Kurtin se ndoshta ka detyra tjera, por s’ka mundësi të kuptojë ministrin Murati i cili ka harruar se është edhe ministër i Punëve dhe Mirëqenies Sociale. Ne jemi në presion më të madh të anëtarësisë ,ata po kërkojnë çfarë me ligjin e pagave”.

“Mos i drejtoni shigjetat nga ne, nëse s’ka përgjigje nga Qeveria do të gjendemi në greva e protesta. Më 4 dhjetor me protesta, me 18 me të tjera, janari do të na gjej me greva”.