Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në ora 16:00 Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të fillojë zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

Si pasojë e këtij vendimit certitifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të zvarritet edhe më tej deri në fillim të muajit dhjetor, pasi procesi i rinumërimit të këtyre vendvotimeve pritet të zgjasë rreth 3 javë.

Deri tani me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) janë rinumëruar rreth 90 për qind e vendvotimeve kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Eguen Cakolli nga KDI.

Cakolli nga KDI tha se duke e marrur parasysh ecurinë e procesit të rinumërimit të dy raundeve të kaluara, ky proces i cili do të nis sot pritet të përfundojë pas rreth 3 javësh.

Po ashtu ai tha se me gjasë KQZ do të vendosë për shtim të kapaciteteve të QNR-së, shtimin e tavolinave për masën diku 30% që nënkupton që automatikisht edhe vetë procesi i rinumërimit do të shkurtohet në afat 30 për qind.

“Nëse merret parasysh dinamika e procesit të rinumërimit nga procesi paraprak që është zhvilluar në dy raundet e rinumërimit, atëherë unë besoj se me dinamikën e njëjtë do t’i duhen QNR të paktën deri në 3 javë për të përfunduar procesi i rinumërimit për këto qendra. Me gjasë, KQZ do të vendosë për shtim të kapaciteteve të QNR-së, shtimin e tavolinave për masën diku 30 për qind që nënkupton që automatikisht edhe vetë procesi i rinumërimit do të shkurtohet në afat 30 për qind. Besoj që është tejet e rëndësishme që procesi i rinumërimit të mos ngutet nga cilido akterë të përfshirë, meqenëse se nëse i marrim parasysh diferencat e vogla të subjekteve që pretendojnë të jenë pjesë e Kuvendit atëherë duhet që ky proces të jetë kredibil dhe transparent, në mënyrë që të evitohet çfarëdo mundësie që edhe procesi i rinumërimit më pastaj të kontestohet”, tha Cakolli.