Në QNR po vazhdon rinumërimi i votave në 530 vendvotime, ku deri më tani janë rinumëruar 223 të tilla.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj , i cili tha se deri më tani i gjithë procesi i rinumërimit ka vazhduar pa ndonjë problem dhe se i gjithë procesi i rinumërimit të votave, duke llogaritur këtu edhe votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta do të përfundojë pas 5-6 dite.
“Procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve do të përfundoj brenda 3-4 dite, pastaj ju hapet rruga e numërimit të votave me kusht e cila praktikisht do t’i marrë edhe 2 ditë, procesi i numërimit të votave me kusht në mënyrë që të finalizohen të gjitha rezultatet. Pra i kemi rezultatet e vendvotimeve të rregullta të cilat janë në bazën e të dhënave, do t’i procedojmë rezultatet e vendvotimeve të rinumëruara të cilat po ashtu do t’i a bashkojmë rezultateve finale. Po ashtu i kemi edhe rezultatet e votave me postë dhe mbesin vetëm edhe rezultatet e votave me kusht në mënyrë që të kompletohen të gjitha, dhe KQZ t’i bëjë publike rezultatet e përgjithshme”, tha Ahmetaj.