Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron stabilizim të situatës
Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë rritur intensitetin e ujërave nëpër lumenj që kanë shkaktuar vërshime nëpër shumë komuna të Kosovës. Vërshime ka pasur edhe në Komunën e Suharekës pasi që pozita gjeografike e kësaj komune mundëson që pas reshjeve të shumta të ketë vërshime nëpër fshatra dhe pjesë të qytetit duke shkaktuar dëme si […]
Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë rritur intensitetin e ujërave nëpër lumenj që kanë shkaktuar vërshime nëpër shumë komuna të Kosovës.
Vërshime ka pasur edhe në Komunën e Suharekës pasi që pozita gjeografike e kësaj komune mundëson që pas reshjeve të shumta të ketë vërshime nëpër fshatra dhe pjesë të qytetit duke shkaktuar dëme si nëpër objekte banimi ashtu edhe në kulturat bujqësore.
E si pasojë e reshjeve të shumta janë bllokuar edhe disa rrugë në shumë fshatra të komunës.
Ndërsa, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, që prej pasdites të së hënës, në të gjithë lumenjtë e Kosovës tendencat e niveleve të ujit janë në rënie.
Përmes një njoftimi për media, IHK-ja thotë se pas vërshimeve të shkaktuara, nga reshjet e shiut dhe borës në ditët në vijim situata “pritet të stabilizohet gradualisht”.
“Lumenjtë kryesorë të Kosovës, gjatë orëve dhe ditëve në vijim, parashikohet të kenë rënie dhe gradualisht ata do të kthehen nëpër shtretërit e tyre. Kësaj i paraprinë situata e përgjithshme meteorologjike e cila pritet të stabilizohet gradualisht, duke filluar nga dita e sotme, e cila do të vazhdojë deri më datë 13/01/2021, ku përsëri do të kemi reshje të herëpashershme shiu dhe bore të intensitetit më të ulët dhe me karakter lokal.
E cila situatë mendojmë që nuk do të ketë më pasoja nga vërshimet”, thuhet në njoftim.