Iniciohet formimi i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës

Iniciohet formimi i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës
Çlirim Gashi

07.06.2021 / Lajme

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se instituti për krimet e kryera gjatë luftës do të jetësohet vetëm me përkushtimin e të gjithëve.

Ai ka thënë se do të jetë e vështirë që t’i adresojnë të gjitha krimet e kryera, andaj duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim.

“Vitin e kaluar, dy javë para kësaj date jemi takuar për takimin e formimit të ekipit, dhe sot po vazhdojmë me fazën e dytë që do të përgatisë koncept-dokumentin e krimeve të kryera gjatë luftës, do të jetë e vështirë t’i adresojmë të gjitha krimet e kryera, familjarët e viktimave kanë humbur besimin dhe ky është një rrezik që po na kanos dhe andaj duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim. Kemi më shumë se 13 mijë persona te vrarë gjatë luftës, dhe dëmi është edhe më i madh si ekonomik ashtu edhe në aspekte tjera”, tha ai.

Ndërsa, ai është shprehur se instituti do ta ketë linjën e vet buxhetore.

“Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore, dhe përkrahjen e të gjithëve nëse duam të kemi sukses, por edhe nuk duam ta hedhim poshtë punën e deritanishme dhe me punën  e tyre të vazhdojmë tutje.Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe andaj është thelbësore ta përkrahim njëri-tjetrin”, theksoi tutje Kurti.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se deri tani ka munguar vullneti politik në adresimin e këtij problemi, duke shtuar se mbështetja e kësaj ministrie dhe Qeverisë nuk do mungojë asnjëherë.

“Ky grup punues do të punojë edhe në atë se pse iniciativa të tilla kanë dështuar, dhe të mundohemi që të mos bëjmë gabime si përpara, e të fokusohemi në punën përpara. Qytetarët e organizatat kanë punuar vazhdimisht në të drejtat e viktimave të përmbushen pasi vullneti politik ka munguar.Kuvendi i Kosovës ka miratuar amendamentin që ka për qëllim heqjen e pengesave në punën e Institutit. Poashtu do të ndahen buxhet për Prokurorinë Speciale që të rritet numri edhe për katër prokurorë të tjerë që të rritet puna tutje”, tha Haxhiu.

RAPORTO