Inflacioni në Kosovë, Qeveria me pakon e re mbështetëse për qytetarët

03.09.2022

Inflacioni në vendin tonë e filluar tash e disa muaj, ka rënduar xhepin e qytetarit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati kanë mbajtur një konferencë për media, ku kryeministri Kurti ka thënë se inflacioni ka rënduar jetën e qytetarëve në vend, prandaj ka bërë të ditur se do […]

Inflacioni në Kosovë, Qeveria me pakon e re mbështetëse për qytetarët Foto: Ilustrim

Inflacioni në vendin tonë e filluar tash e disa muaj, ka rënduar xhepin e qytetarit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati kanë mbajtur një konferencë për media, ku kryeministri Kurti ka thënë se inflacioni ka rënduar jetën e qytetarëve në vend, prandaj ka bërë të ditur se do të fillojnë me pako të re mbështetëse për qytetarët.

Po ashtu, ai tha se si qeveri mbeten të përkushtuar për tu dalë në ndihmë qytetarëve, sa herë që një gjë e tillë është e nevojshme.

“Si qeveri mbetemi të përkushtuar për tu dalë në krah qytetarëve sa herë kjo është e nevojshme. Në linjë me këtë synim tonin sot po prezantojmë një pako të re që ka për synim mbështetjen e qytetarëve për tu përballur me krizën inflacionare”, tha ai.

Kryeministri Kurti theksoi se nga gjendja e rënduar me energjinë elektrike në vend më shumë se kurdo herë është e rëndësishme të kursehet.

“Do t’i subvencionojmë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faturën”, tha ai.

I pari i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se do të procedojnë në ekzekutiv e pastaj edhe në kuvend Projektligjin për punë publike, projektligj ky që parasheh kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore si dhe punët përcjellje për kontratat ekzistuese të punës.

Ai ka bërë të ditur se për pensionistët do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro, kurse familjet në asistencë sociale do të mbështeten me dyfishimin e shumës së asistencës për një muaj.

“Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj”, tha ai.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se për zyrtarët publikë do të ndajnë shtesën prej 50 euro duke filluar nga shtatori, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.

Gjendja e rënduar është edhe në sektorin privat. 80 % janë të punësuar në sektorin privat.

Do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve. Subvencionojmë 50 % të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 eurove në nëntor edhe për studentët”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu ka prezantuar edhe një ndihmesë për bizneset të cilat janë prekur nga inflacioni dhe rritja e çmimit të materialeve ndërtimore.

Ndryshe, kujtojmë se nga fillimi i këtij viti kishte filluar rritja e çmimeve si në produktet bazë ushqimore e deri te ato të derivateve të naftës. Rritja më e theksueshme e çmimeve ka filluar në fund të muajit shkurt kur edhe nisi lufta në Ukrainë, e që prej asaj kohe çmimet në treg nuk po gjejnë qetësi.