Infermierëve u garantohet se Ligji për paga miratohet vitin e ardhshëm

02.12.2021

Ndërkaq, shqetësim për Ligjin e Pagave është edhe për Sindikatën e Infermierëve të Kosovës. Nga ana e Komisionit për Shëndetësi, kjo sindikatë ka marrë premtimin se Ligji i Pagave në fillim të vitit të ardhshëm do të procedohet në Kuvend. Gjithashtu, infermierët janë siguruar se do ketë edhe ndryshim të koeficientit për infermierët, e kjo […]

Infermierëve u garantohet se Ligji për paga miratohet vitin e ardhshëm Foto: Ilustrim

Ndërkaq, shqetësim për Ligjin e Pagave është edhe për Sindikatën e Infermierëve të Kosovës.

Nga ana e Komisionit për Shëndetësi, kjo sindikatë ka marrë premtimin se Ligji i Pagave në fillim të vitit të ardhshëm do të procedohet në Kuvend.

Gjithashtu, infermierët janë siguruar se do ketë edhe ndryshim të koeficientit për infermierët, e kjo sipas kërkesë së tyre.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Përparim Berisha, kryetar i Shoqatës së Infermierëve pas takimit që ka pasur sot me Fatmire Kollçakun, kryetare e Komisionit për Shëndetësi si dhe me deputetin Mirsad Shkreta.

Po ashtu, Berisha ka shtuar se kanë marrë garanci se Ligji i Pagave do të fillojë së implementuari gjatë vitit 2022.

“Diskutuam për mundësinë e prurjes së Ligjit të pagave në Kuvend, ata na garantuan që Ligji i pagave do të fillojë të vijë në Kuvend në fillim të vitit të ardhshëm dhe gjithashtu do të fillojë edhe implementimi i tij gjatë vitit të ardhshëm.

Po ashtu, na garantuan që koeficientët diskriminues të cilët i rrëzoi Gjykata Kushtetuese nuk do të jenë ata, po do të jenë sigurisht më të lartë ashtu siç kemi kërkuar ne”, tha ai.

Ndërkaq, nëse nuk do të mbahet premtimi për ndryshim të koeficientit për infermierët, nënkryetari i Shoqatës së Infermierëve, Enlirat Duraku ka thënë se atëherë do të ndërmarrin veprime sindikale.