Infektologu kosovar: Të vazhdohen masat anti-COVID, nuk është koha për t’u liruar

29.11.2021

Nën kryesimin e zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, të shtunën është mbajtur një takim i Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19. Pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit, (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, MSH-ja ka bërë një thirrje për qytetarët e […]

Infektologu kosovar: Të vazhdohen masat anti-COVID, nuk është koha për t’u liruar Foto: Ilustrim

Nën kryesimin e zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, të shtunën është mbajtur një takim i Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.

Pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit, (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, MSH-ja ka bërë një thirrje për qytetarët e Kosovës. Komiteti, në mënyrë specifike u ka bërë thirrje qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të vaksinohen pa humbur kohë kundër COVID-19

Ndërkaq, MSh-ja këtë javë pritet që pas rishqyrtimit të masave t’ia dërgojë Qeverisë së Kosovës, propozimet për masa të reja kundër COVID-19.

Po ashtu, kanë theksuar se masat e reja anti-COVID do t’i përgjigjen situatës aktuale epidemiologjike dhe rreziqeve që mund të shfaqen.

Ndërsa, infektologu Murat Mehmeti kërkon nga MSh-ja që masat aktuale të mbahen strikt ashtu siç janë për shkak të rrezikut të këtij varianti.

“Unë mendoj që edhe më tutje, sidomos tash kah fund viti masat të cilat janë të mbetet, të ndalohet grumbullimi, të mos bëhet hapja e klubeve të natës, të vazhdoj ndalimi i dasmave dhe ahengjeve të ndryshme”, ka thënë ai për Front Online.

Infektologu Mehmeti ka thënë në se Kosova mund të përballet me vështirësi të përballimit të këtij varianti kur dihet shkalla jo e lartë e vaksinimit krahasim me vendet e tjera kanë përqindje më të lartë të vaksinimit e që po kanë telashe në rritje enorme të rasteve ditore.

“Pavarësisht që kemi numër të vogël të rasteve kjo nuk do të thotë që me grumbullim të njerëzve të mos të na rriten rastet aq më tepër kur e shohim që në shtete të Evropës kanë % të vaksinimit shumë më të madh dhe prapë po përballen me rritje enorme të rasteve.

Por prap ky vendimi për lirim të masave apo mbajtje të këtyre aktuale i takon IKSHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por si infektolog mendoj që masat duhet të vazhdojnë”, ka thënë ai.

Por, ndryshe mendon kryetari i Asociacioni të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, i cili po shprehet kundër vendosjes së masave të reja të mundshme.

Ibrahimi është duke kërkuar që të bëhet largimi i orës policore si dhe largimi i obligimit të bartjes së maskës në ambiente të hapura.

I pari i AKK-së ka thënë se nuk ka kuptim ora policore si dhe bartja e maskës në ambiente të hapura, kjo pasiqë duke marrë parasysh gjendjen e qetë epidemiologjike me COVID-19 në vendin tonë.

Po ashtu, ai ka thënë se asnjë shtet nuk e ka të obligueshme bartjen e maskës kur personi është duke ecur vetëm.

“Duke marrë parasysh situatën e qetë dhe stabile me COVID- 19 në Republikën e Kosovës, qëndrimi zyrtar i AKK-së dhe i deritanishëm është që masat siç janë kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe obligimi i bartjes së maskës për personat që lëvizin vetëm në ambiente te jashtme të largohen”, tha Sazan Ibrahimi.

Ndërkaq, ai ka shtuar se për shkak të vetëdijes së qytetarëve që janë vaksinuar me një përqindje të lartë kemi momentalisht numër minimal të të infektuarve me COVID-19 dhe nuk është për shkak të orës policore.