Inaugurohet stacioni i rinovuar i Policisë Ushtarake shumëkombëshe në Prishtinë
Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Shtabin e KFOR-it, në “Camp Film City” në Prishtinë, është bërë inaugurimi i stacionit të rinovuar të policisë ushtarake shumëkombëshe.
Nënkolonelja Christina Faustik i dorëzoi çelësin e objektit komandantit të policisë ushtarake shumëkombëshe, Martin Frank.
Policia Ushtarake Shumëkombëshe (MNMP) përbëhet nga ushtarë nga shtete të ndryshme si Austria, Zvicra, Italia, Sllovenia, Polonia, Republika Çeke dhe Letonia. Kjo njësi ka për detyrë ruajtjen e rendit dhe sigurisë brenda KFOR-it, si dhe ofrimin e mbështetjes në çështjet e policisë ushtarake.
KFOR-i, në njoftimin e tij, ka theksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Qëllimi kryesor është kontribuimi në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke siguruar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i gjithashtu bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.