IKSHPK: Mos e nënvlerësoni virusin COVID-19, ai është kudo, bëni kujdes!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë pas numrit rekord të infektuarve me COVID-19 ka apeluar të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes e të mos e nënvlersojnë virusin Korona.

Sot në Kosovë është regjistruar numër rekord i personave të infektuar me COVID-19, IKSHPK-ja ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit kanë identifikuar 963 raste të reja.

Nga IKSHPK janë identifikuar 12 raste të reja vetëm në Komunën e Suharekës.

“Sot janë konfirmuar 963 raste të reja me COVID-19 si shkak i pakujdesisë tonë. Ky është numër rekord deri tani. Numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave. Ju lutemi të keni kujdes në mbajtjen e maskave, mbani distancë dhe higjienën personale. Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura” thuhet në reagimin e IKSHPK-së.

“Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës. Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar.Pakujdesia e juaj shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.E dijmë se qytetarët kanë nevoja për shërbime të përditshme andaj bëjmë apel t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit” thuhet tutje në reagim.

IKSHPK thotë se çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

“Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve. Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin Anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.