I mituri kapet me marihuanë në oborrin e shkollës në Pejë, lirohet në procedurë të rregullt
Abuzimi me substanca narkotike nga të miturit mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare, me varësinë nga droga që sa vjen e shtohet, siç dëshmohet nga kapja dhe arrestimi i dhjetëra konsumuesve e shpërndarësve të substancave narkotike.
Një rast i tillë shqetësues është regjistruar mbrëmjen e 18 qershorit në Pejë, ku një i mitur është kapur me marihuanë në hapësirat e një shkolle.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për V.P., i lindur në vitin 2008. Ai është hasur nga patrulla policore në oborrin e shkollës “Ramiz Sadiku”, në rrugën “Esat Mekuli”, gjatë zbatimit të një plani operativ.
Gjatë kontrollit fizik, në xhepin e pantallonave të të miturit janë gjetur dy qese të vogla najloni, të cilat dyshohet se përmbanin substancë narkotike të llojit marihuanë.
Pas ndalimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar nga hetuesit në prani të përfaqësuesve ligjorë, duke respektuar procedurat për të mitur.