Hyn në fuqi rregullorja e re për banka, cilat janë shërbimet që mund të marrin qytetarët pa pagesë?

01.08.2023 Lajme
Më 1 gusht ka hyrë në fuqi rregullorja e re për banka, ku sipas kësaj rregullore bankat duhet të ofrojnë shërbime bazike pa pagesë për qytetarët.
Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës më 20 dhjetor 2022 kishte miratuar Rregulloren për shërbime bazike, ndërkaq neni 5 paragrafi 4 do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
BQK në njoftimin e bërë për media ka njoftuar se, rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike ka për qëllim të përcaktojë kushtet për qasjen e konsumatorëve në llogari pagese me shërbime bazike.
Rregullorja u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh rrethanat financiare të tyre, statusin e punësimit apo nivelin e të ardhurave, që të mund të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.
Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike aplikohet për të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja të licencuara nga BQK-ja, që veprojnë në Republikën e Kosovës.
Llogaria e pagesave me shërbime bazike përfshin të paktën shërbimet si në vijim:
1. shërbimet që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e një llogarie pagese;
2. shërbimet që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike;
3. shërbimet që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike.
4. Ekzekutimin e transaksioneve të mëposhtme të pagesave:
4.1. debitimin direkt;
4.2. transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet;
4.3. transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës ose përmes platformave online;
Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike përcakton:
– kushtet për t’u qasur në llogari pagese me shërbime bazike,
– karakteristikat e llogarive të pagesave me shërbime bazike,
– tarifat në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike,
– grupin e konsumatorëve të cenueshëm e që përfitojnë shërbimet që ofron llogaria pagese me shërbime bazike pa pagesë
– obligimin e bankave për informim të klientëve në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike, si dhe
– mënyrën e konvertimit të llogarive aktuale në llogari pagese me shërbime bazike.
Sipas nenit 5 paragrafi 4, te rregullores, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2024, grup i konsumatorëve të cenueshëm konsiderohen grupet të cilët përfitojnë:
1. Pensione:
• Pensioni bazë;
• Pensioni kontribut pagues;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar të rritur;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar paraplegjik dhe tetraplegjik;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar – fëmijë; Pensionet e parakohshme të kompleksit Trepça;
• Pensionet e pjesëtareve të TMK-së; Pensioni i forcës së sigurisë FSK-së;
• Kompensimi për të verbër;
• Pensioni familjar;
• Pensioni i invalidëve të punës;
• Pensioni i familjareve të dëshmorëve;
• Pensioni i invalidëve të luftës;
• Pensioni i viktimave civile;
• Pensioni i invalidëve civilë;
• Pensioni i të zhdukurve të luftës;
• Pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së;
2. Ndihma sociale;
3. Grupet tjera të cenueshme që mund të parashihen me legjislacion në Republikën e Kosovës; të konfirmuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.